“Shumë shpejt do të organizohet një takim dhe besoj se do të mund të arrijmë përparim të madh”, u shpreh Trump para gazetarëve, duke iu referuar përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, e cila po zgjat prej afro pesë vitesh, sipas mediave te huaja.
Të dielën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se gjatë muajit nëntor pritet të zhvillohet një takim mes përfaqësuesve rusë dhe ukrainas, me ndërmjetësimin amerikan, me synimin për të rifilluar negociatat e paqes, të cilat kanë mbetur në vendnumëro që prej fillimit të vitit.
“Jemi të gatshëm të diskutojmë. Nëse bëhet fjalë për çështjen territoriale, ajo duhet të diskutohet në nivel drejtuesish. Çështjet e tjera u takojnë grupeve teknike. Prandaj, të gjitha këto mund të diskutohen në nëntor”, deklaroi Zelensky në një intervistë për televizionin shtetëror ukrainas.
Dy ditë më herët, edhe Rusia kishte bërë të ditur se një takim i tillë parashikohet të zhvillohet në nëntor, në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, në kuadër të përpjekjeve të fundit të SHBA-së për të ringjallur negociatat e paqes.
Bisedime të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainës janë zhvilluar edhe gjatë vitit 2025, por pa arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit. Të dyja palët kanë vazhduar të këmbëngulin në kushtet e tyre.



