Është themeluar ditën e djeshme në Tiranë forca më e re politike në vend, e quajtur “Aleanca e Diasporës për Shqipërinë”.
Lidhur me këtë nismë të re, bashkëthemeluesi i partisë, Bardhok Doda, u shpreh në një prononcim për edicionin e lajmeve në “MCN TV” se synimi kryesor i këtij subjekti është që emigrantët shqiptarë të mos përdoren më nga partitë ekzistuese, por të shndërrohen në një faktor të drejtpërdrejtë në politikëbërjen e vendit.
Krijimi i kësaj partie erdhi nga nevoja që shqiptarët e diasporës, pra emigrantët, të cilët punojnë dhe sjellin të ardhura në vend, të jenë edhe vendimmarrës në institucionet shqiptare.
Ata duhet të jenë të barabartë si me ata që janë në emigrim, ashtu edhe me ata që jetojnë këtu, sepse edhe emigrantët paguajnë taksa në Shqipëri, kanë shtëpitë dhe bizneset e tyre.
Sipas tij, kjo nismë buron drejtpërdrejt nga komuniteti i emigrantëve, ndërsa shprehu mbështetjen e plotë për të gjitha lëvizjet qytetare dhe protestat kundër qeverisë, duke veçuar ato të studentëve dhe lëvizjen e “Flamingove”.
Formimi i kësaj partie vjen nga diaspora, jo nga studentët, edhe pse ne i kemi mbështetur në protesta dhe kemi qenë pro tyre, ashtu siç jemi pro lëvizjes së ‘Flamingove’ dhe mbështesim çdo protestë që ngrihet kundër kësaj qeverie, e cila nuk punon për popullin, por për vetveten.
Qëllimi ynë është që shqiptarët e diasporës dhe ata të Shqipërisë të bashkohen për t’i dhënë dinjitet politikës shqiptare, në mënyrë që diaspora të mos keqpërdoret më nga partitë, por të jetë faktor në politikëbërje.
Kësaj force të re politike i janë bashkuar deri më tani mbi tre mijë anëtarë.
