
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në parim projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale me 80 vota pro dhe 25 vota kundër.
Duke komentuar këtë zhvillim në edicionin e lajmeve në MCN tv, ish-deputeti Enkelejd Alibeaj u shpreh se buxheti prej 10 miliardë eurosh nuk sjell asnjë risi për ekonominë familjare të qytetarëve, ndërsa akuzoi qeverinë se po rrit barrën fiskale për t'i përdorur paratë publike në funksion të zgjedhjeve lokale të 9 majit.
Diskutimet që janë bërë në Parlament nuk janë shumë të prekshme për publikun.
Sigurisht ajo që pritet nga qeveria është ajo që thanë: është buxheti më i madh ndonjëherë, 10 miliardë euro.
Me thënë të drejtën, rritja natyrore ekonomike e vendit krijon rritje në shifra absolute të buxhetit, por ajo që nuk thuhet shpesh është se çfarë ndodh me ekonominë familjare.
Të gjithë e dimë që çmimet janë rritur dhe mundësitë për të përmirësuar jetesën janë zvogëluar.
Të pamundurit e kanë të vështirë të blejnë ilaçet dhe pensionistët janë në një situatë edhe më të rëndë. Kjo është një histori që vazhdon prej 13 vitesh që kur Rama është në pushtet.
Alibeaj theksoi se problemi kryesor i buxhetit nuk është shuma që mblidhet nga taksat e qytetarëve, por mënyra korruptive e shpërndarjes së fondeve publike, duke sjellë si provë dosjet e shumta të Prokurorisë së Posaçme.
Asnjë të re nuk ka nga mënyra se si do të shpenzohen paratë që u merren shqiptarëve. Rama mburret me faktin se sa para do t’u marrë shqiptarëve, dhe kësaj radhe do t’u marrë më shumë se vitin e kaluar, por tashmë është e ditur për gjithë publikun se shumica dërrmuese e parave vidhen në mënyra korruptive.
Provat më të forta janë numri në rritje i proceseve hetimore të drejtësisë dhe të SPAK-ut për korrupsion, çka tregon se historia e deritanishme do të përsëritet edhe vitin që vjen.
Alibeaj e cilësoi buxhetin e vitit 2027 si një instrument elektoral në prag të zgjedhjeve vendore.
Ashtu siç ka bërë dhe herë të tjera para zgjedhjeve lokale apo të përgjithshme, duket se Rama një pjesë të mirë të këtyre parave do t’i ketë destinuar për të blerë edhe kësaj radhe heshtjen dhe për të blerë të varfrit në zgjedhjet e 9 majit.
