
Shoqata "ProEksport Albania", përmes një shkrese zyrtare të drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka ngritur shqetësimin për një praktikë të re dhe të diskutueshme: bllokimin e aktivitetit doganor të ndërmarrjeve eksportuese që kanë detyrime tatimore të papaguara.
Sipas shoqatës, kjo masë shtrënguese nuk ka një bazë ligjore të qartë për bllokim të përgjithshëm dhe bie ndesh me parimet e acquis të Bashkimit Evropian.
Kryetari i Shoqatës ProEksport Albania, Edvin Prençe, sqaroi se kjo situatë është veçanërisht kritike për industrinë fason, ku lëndët e para dhe produktet e përpunuara janë në pronësi të klientëve të huaj.
Shoqata specifikon se nuk është kundër mbledhjes së detyrimeve fiskale nga shteti, por kundërshton mjetet që paralizojnë biznesin.
ProEksport Albania i ka bërë thirrje doganave dhe institucioneve qeveritare për një zgjidhje të menjëhershme që mbron interesin fiskal të shtetit, pa asgjësuar frymëmarrjen e bizneseve eksportuese.
Shoqata kërkon rishikimin e menjëhershëm të kësaj praktike dhe mbrojtjen e aktivitetit të ndërmarrjeve, veçanërisht të atyre që aktualisht respektojnë marrëveshjet zyrtare për pagesën e detyrimeve me këste.
BLLOKIMI I MALLRAVE NË DOGANË SI MASË SHTRËNGUESE PËR MBLEDHJEN E DETYRIMEVE TATIMORE RREZIKON PRODHIMIN, EKSPORTET, KONTRATAT ME KLIENTËT E HUAJ DHE VENDET E PUNËS
Shoqata ProEksport Albania ka ngritur zyrtarisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave shqetësimin për praktikën e bllokimit të aktivitetit doganor të ndërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese për detyrime tatimore të papaguara.
Sipas Shoqatës, kjo praktikë nuk ka një bazë ligjore të qartë për bllokimin e përgjithshëm të aktivitetit doganor dhe ngre shqetësime për përputhshmërinë me parimet e acquis të Bashkimit Europian.
Problematika është veçanërisht serioze për industrinë e veshjeve dhe këpucëve, ku lëndët e para dhe produktet e përpunuara shpesh janë pronë e klientëve të huaj. Bllokimi i tyre mund të cenojë të drejtat e pronësisë, të ndërpresë prodhimin, të rrezikojë kontratat ndërkombëtare dhe vendet e punës.
ProEksport Albania nuk kundërshton mbledhjen e detyrimeve tatimore, por masat shtrënguese që paralizojnë aktivitetin eksportues dhe dëmtojnë edhe palë të treta që nuk kanë detyrime ndaj shtetit shqiptar.
Përmes shkresës nr. 35-2026, datë 7 tetor 2026, Shoqata ka kërkuar sqarimin e bazës ligjore, rishikimin e kësaj praktike dhe mbrojtjen e aktivitetit të ndërmarrjeve që respektojnë marrëveshjet e pagesës me këste. Një masë për mbledhjen e detyrimeve tatimore nuk duhet të shkatërrojë burimin e të ardhurave nga i cili këto detyrime mund të shlyhen.
ProEksport Albania kërkon ndërhyrje institucionale dhe një zgjidhje të menjëhershme që mbron interesin fiskal të shtetit, pronësinë e klientëve të huaj, prodhimin, eksportet dhe vendet e punës.
Edvin Prençe Kryetar i Shoqatës ProEksport Albania



