
Një vit pas denoncimit në emisionin investigativ “Xhadat”, Fitim Bejko, banor i Njësisë Administrative nr. 7 në Tiranë, rikthehet sërish për të kërkuar ndihmë lidhur me konfliktin e pronësisë që ka me kompanitë ndërtuese të një pallati ngjitur me banesën e tij.
Në denoncimin e parë, Bejko pretendonte se gjatë punimeve të ndërtimit i ishte dëmtuar banesa dhe i ishte marrë një pjesë e truallit që disponon me certifikatë pronësie.
Por një vit më vonë, konflikti jo vetëm që nuk ka marrë zgjidhje, por sipas tij është përshkallëzuar, pasi pronari i pallatit i ka kërkuar të heqë garazhin e makinës për të hapur një rrugë kalimi.
Sipas denoncuesit, bëhet fjalë për dy shoqëritë ndërtuese “Shyze” sh.p.k., me pronar Kujtim Kapollari, dhe “G-KAM” sh.p.k., të cilat kryejnë ndërtimin e pallatit në kufi me pronën e tij.
Bejko tregon se gjatë një komunikimi me pronarin e pallatit, ky i fundit i ka kërkuar të largojë garazhin, pasi në atë hapësirë është parashikuar të ndërtohet një rrugë. Kjo kërkesë ka rikthyer shqetësimin e qytetarit, i cili pretendon se po i cenohet sërish prona private.
Për këtë situatë, ai shprehet se më 4 nëntor ka bërë një tjetër denoncim në Policinë e Shtetit, por sipas tij nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.
Bejko thotë se i është drejtuar disa herë edhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, por deri më tani nuk ka gjetur zgjidhje.
Një tjetër pretendim i qytetarit lidhet me lejen e ndërtimit të pallatit. Sipas tij, objekti duhej të ndërtohej në një distancë prej 17 metrash nga prona e tij, ndërkohë që aktualisht ndodhet rreth 70 centimetra larg saj.
Denoncuesi kërkon që institucionet përgjegjëse të verifikojnë ligjshmërinë e ndërtimit dhe respektimin e distancave të përcaktuara në leje.
Përballë kësaj situate, u kontaktua nga qyetari salla operative e Policisë së Shtetit, nga ku u konfirmua se një patrullë do të mbërrinte menjëherë në vendngjarje.
Pas mbërritjes së efektivëve, gazetari dhe qytetari u shpjeguan atyre konfliktin dhe pretendimet për ndërhyrjen në pronën private.
Policët komunikuan me sallën operative për rastin, por sqaruan se roli i tyre ishte vetëm konstatimi i situatës dhe se duhej pritur inspektori i zonës për ndjekjen e mëtejshme të çështjes.
Gjatë qëndrimit në terren, ekipi i “Xhadat” u sinjalizua nga denoncuesi se pranë pallatit ndodhej vetë pronari i objektit.
Gazetari Ersid Karaj iu drejtua për të kërkuar një sqarim lidhur me pretendimet e qytetarit dhe planet për hapjen e rrugës së kalimit dhe shkatërrimin e pronës nga ana e tij.
Megjithatë, pronari nuk pranoi të jepte shpjegime para kamerës dhe u largua, duke u shprehur se gazetarët duhet të komunikonin me inxhinierin e ndërtimit.
Pak më vonë, pranë kufirit të pronës u afrua edhe një punonjës i firmës, i cili nisi të fotografonte me telefon zonën ku ndodhej ekipi i xhirimit.
Gazetari e pyeti nëse ishte inxhinieri i objektit, por ai u përgjigj se nuk ishte. Edhe pas kërkesës për të kontaktuar personin përgjegjës që mund të sqaronte projektin dhe ndërhyrjet e parashikuara, punonjësi u largua pa dhënë përgjigje.
Kjo nuk është hera e parë që Fitim Bejko kërkon ndihmën e emisionit “Xhadat”. Në denoncimin e mëparshëm, ai tregoi dëmtimet që pretendonte se i ishin shkaktuar banesës gjatë punimeve të pallatit, përfshirë plasaritjet e mureve, dëmtimin e shkallëve dhe ballkoneve, si dhe lagështinë e krijuar në ambientet e brendshme.
Sipas tij, firma ndërtuese i kishte atribuuar dëmtimet tërmetit të 26 nëntorit 2019, pretendim që Bejko e kundërshtonte, duke deklaruar se nuk kishte raportuar dëmtime nga tërmeti pranë institucioneve.
Në investigimin e parë, qytetari pretendonte gjithashtu se gjatë gërmimeve ishte ndërhyrë në truallin e tij. Për shkak të vështirësive për të siguruar një topograf, ekipi i “Xhadat” kreu së bashku me denoncuesin matje orientuese të sipërfaqes së pronës. Nga përllogaritjet rezultuan rreth 430 metra katrorë, ndërsa në certifikatën e pronësisë figuronin 438 metra katrorë. Diferenca prej 8 metrash katrorë mbetej për t’u verifikuar nga një ekspert i licencuar.
Një vit pas denoncimit të parë, Fitim Bejko vijon të përballet me të njëjtin konflikt, por tashmë me një tjetër pretendim që lidhet me garazhin e tij. Qytetari kërkon ndërhyrjen e institucioneve për të verifikuar dokumentacionin e ndërtimit, kufijtë e pronës dhe ligjshmërinë e çdo ndërhyrjeje të parashikuar në hapësirën që ai pretendon se i përket.
