Konfindustria i ka paraqitur zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë një relacion me kërkesa, vërejtje dhe propozime konkrete mbi projekt-paketën fiskale për vitin 2027. Konfindustria shprehet pesimiste për treguesit makroekonomikë të vitit të ardhshëm, duke përmendur rënien 5-vjeçare të industrisë, rënien e bujqësisë, deficitin tregtar rekord prej 5.8 miliardë eurosh për vitin 2026, si dhe goditjet e SPAK ndaj burimeve informale që pritet të prekin sektorin e ndërtimit dhe monedhën Lek.
Në analizën e saj, Konfindustria ka zbërthyer disa nga risitë kryesore të paketës fiskale, duke paralajmëruar rreziqe të mëdha për konsumatorët dhe bizneset e mesme. Projekt-paketa parashikon heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekë/litër, por kjo vlerë e munguar në buxhet do të zëvendësohet me rritjen e taksës vjetore të mjeteve motorike.
Konfindustria thotë se në kushtet e një tregu oligopol dhe pa konkurrencë, tregtarët e naftës mund të mos e ulin çmimin në pompë, duke e mbajtur uljen si fitim për vete. Në këtë skenar, qytetarët rrezikojnë të paguajnë dyfish edhe naftën e shtrenjtë, edhe taksën e rritur të makinës (një kosto shtesë e përllogaritur në mbi 200 milionë euro/vit).
Në mungesë të garancive institucionale për pasqyrimin në cmimin fundor të “heqjes së taksës së qarkullimit “ dhe situatës së mungesës së konkurencës në tregun oligopol të karburanteve, konsumatorët biznese dhe qytetarë rrezikojnë të paguajnë njëkohësisht : edhe vlerën e derisotme të plotë të transportit (taksa vjetore të shtuara të mjeteve dhe koston e karburanteve) si dhe plus gjithë vlerën në cmimin e karburanteve, që nuk do të përcillet në cmimin fundor nga heqja formale e “taksës së qarkullimit”, por do përfundojë si super fitim për operatorët/shitës.
Konfindustria i kërkon Kuvendit që rritja e tatim-fitimit në 17% të mos zbatohet në mënyrë të përgjithshme. Kjo rritje duhet të prekë ekskluzivisht vetëm kompanitë koncesionare, ato me PPP, bizneset me status "investitor strategjik" dhe kompanitë me licenca shtetërore (bankat, telefonitë, industrinë minerare dhe të karburanteve). Bizneset e tjera të tregut të lirë duhet të vazhdojnë të taksohen me shkallën aktuale prej 15%.
Konfindustria kërkon edhe krijimin e një Enti Kombëtar të Karburanteve në varësi të Kuvendit dhe vendosjen e një tavani çmimesh të lidhur me mesataren e vendeve fqinje.



