Biznesmeni dhe investitori kryesor i Aeroportit të Vlorës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale drejtuar mediave dhe opinionistëve në Shqipëri, duke i akuzuar për përhapje të pasaktësive dhe shpifjeve lidhur me projektin e Aeroportit të Vlorës.
Në reagimin e tij, Pacolli e ka cilësuar plotësisht të pasaktë dhe shpifje pretendimin se Aeroporti i Vlorës është hipotekuar për kredinë e kompanisë Delphos.
Po ashtu, ai ka sqaruar se as qeveria shqiptare dhe asnjë subjekt tjetër publik apo privat në Shqipëri nuk ka asnjë lloj përgjegjësie apo lidhje me këtë kredi.
Biznesmeni sqaron se kredia në fjalë është marrë nga kompania MABCO dhe është garantuar vetëm me asetet që kjo kompani zotëron në Zvicër, duke nënvizuar se asetet e MABCO-s në Shqipëri nuk janë vendosur në asnjë moment si garanci.
Edhe pse ndodhem larg Shqipërisë, po ndjek me vëmendje disa emisione televizive ku diskutohet për projektin e Aeroportit të Vlorës. U drejtohem opinionistëve, drejtuesve të emisioneve dhe gazetarëve: përpara se të flisni për këtë projekt, ju lutem informohuni me kujdes, njihuni me faktet dhe verifikoni dokumentet.
Shumë njerëz ju besojnë dhe, kur nuk e njohin nga afër situatën, krijojnë bindjet e tyre mbi bazën e asaj që dëgjojnë prej jush. Prandaj, pasaktësitë dhe paragjykimet që përcillni mund të kthehen lehtësisht në “të vërteta” për publikun.
Çdokush ka të drejtë të kritikojë, por kritika duhet të mbështetet në fakte dhe në informacion të verifikuar. Fjala publike ka peshë dhe kërkon përgjegjësi. Publiku meriton të informohet saktë dhe me integritet! Është e pasaktë të thuhet se Aeroporti i Vlorës është hipotekuar për kredinë e Delphos. Po aq i pasaktë është pretendimi se qeveria shqiptare apo ndonjë subjekt tjetër publik ose privat në Shqipëri ka përgjegjësi për këtë kredi.
Kredia e Delphos është marrë nga MABCO dhe është garantuar vetëm me asetet e saj në Zvicër. Asetet e MABCO-s në Shqipëri nuk janë vendosur si garanci për këtë kredi. MABCO është investitori kryesor i Aeroportit të Vlorës. Kontrata me Delphos përmban një klauzolë që parashikon mundësinë e rritjes së financimit nga 20 në 100 milionë, nëse lind nevoja. Këtë mundësi e kemi parashikuar qëllimisht, për të siguruar vazhdimësinë e financimit të projektit.
Sipas Pacollit, marrëveshja e nënshkruar shërben si një plan rezervë financimi. Ai shpjegoi se nëse Banka Kombëtare Tregtare do të tërhiqej nga financimi i projektit, kompania e tij do të kishte menjëherë në dispozicion një burim alternativ për ta zëvendësuar atë pa krijuar vonesa.
Pra, nëse BKT-ja do të tërhiqej nga financimi, ne do të kishim menjëherë një burim alternativ për ta zëvendësuar. Kjo është një masë përgjegjësie dhe kujdesi për përfundimin e aeroportit. Ashtu siç kemi zëvendësuar menaxhimin turk me menaxhim evropian, kemi parashikuar edhe alternativa për financimin.
Kjo është e vërteta. Pretendimet e pavërteta për hipotekimin e aeroportit dhe përgjegjësinë e palës shqiptare ndaj kredisë së Delphos janë shpifje që keqinformojnë opinionin publik.
Prandaj, u bëj thirrje opinionistëve, gazetarëve dhe kujtdo që flet publikisht për këtë çështje: informohuni përpara se të flisni. Njerëzit ju dëgjojnë dhe ju besojnë. Kjo besueshmëri ju ngarkon me detyrimin moral për të thënë të vërtetën dhe për t’i mbështetur deklaratat në ëfakte, jo në hamendësime.



