
Një anije gjysmë-nëndetëse e cila mbante disa ton kokainë u kap të enjten nga Marina Franceze në Oqeanin Atlantik, pasi ekuipazhi i saj aktivizoi mekanizmin e zhytjes së anijes, njoftuan të dielën Ministria e Forcave të Armatosura dhe prefektura e Martinikës.
Kur fregata e Marinës iu afrua anijes, e cila nuk valëviste asnjë flamur, tre persona që ndodheshin në bord u hodhën në ujë.
Ekipi arriti të hipte në anije dhe të nxirrte një anëtar të katërt i cili pati kohë ta fundoste anijen në më pak se tre minuta, thanë autoritetet në një deklaratë, duke shtuar se katër të dyshuarit u kapën si dhe u sekuestrua një peshë totale prej 146 kg kokainë.
“Pjesa tjetër e mallrave, disa ton, u fundos bashkë me anijen gjysmë-nëndetëse, një anije artizanale ose gjysmë-artizanale e projektuar për të lundruar afër ujit”, vazhdoi ministria.
Operacioni, i përshkruar si “i paprecedentë” për Marinën Franceze, u zhvillua në kuadër të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit, me mbështetjen e helikopterit të saj në bord dhe një avioni patrullimi detar amerikan nën kontrollin operacional të agjencisë ndërministrore për luftimin e trafikut të drogës në Shtetet e Bashkuara.
