
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, së bashku me delegacionin e Bashkimit Evropian, ka mbërritur paraditen e sotme në Tiranë, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama në ambientet e Pallatit të Brigadave.
Vizita zhvillohet në kuadër të Samitit të Liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili mbahet me moton “Reforma, Rritje, Integrim, Drejt Evropës së bashku”.
Fokusi kryesor i punimeve të këtij takimi të nivelit të lartë është zbatimi i Planit të Rritjes (Growth Plan), ecuria e reformave, prioritetet strategjike dhe integrimi ekonomik i vendeve të rajonit në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Ky plan parashikon mbështetje të konsiderueshme financiare për Ballkanin Perëndimor, e cila është e kushtëzuar nga përmbushja e reformave dhe angazhimeve të përcaktuara nga Brukseli.
