Kryeministri socialist spanjoll Pedro Sanchez ka propozuar një taksë të re mbi pasurinë mbi 100 milionë euro, disa ditë para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen të dielën, më 29 nëntor, masë e cila synon financimin e kujdesit për fëmijët, strehimin dhe shërbimet publike.
“Edhe pse e kemi ulur pabarazinë e të ardhurave në nivele historikisht të ulëta, 0.1% e më të pasurve zotërojnë më shumë se 10% të pasurisë. Dhe pjesa e tyre nuk ka pushuar së rrituri që nga viti 2010. Ne propozojmë një taksë mbi asetet mbi 100 milionë euro me qëllim financimin, për shembull, të ofrimit të arsimit të fëmijëve, strehimit dhe përmirësimit të shërbimeve publike”, shkroi Pedro Sanchez në X
Propozimi vjen ndërsa socialistët e Sanchez kërkojnë të dallohen nga Partia Popullore konservatore, PP, të cilën kryeministri e akuzon se dëshiron të ulë taksat për më të pasurit.
Partia Popullore shihet si favoritja në zgjedhjet parlamentare të së dielës , por pa siguruar shumicën absolute. Në këtë skenar, partia e ekstremit të djathtë Vox mund të luajë një rol vendimtar në formimin e një qeverie.
Politikanët e krahut të majtë në Britani, Francë, Holandë dhe gjetkë po mbështesin forma të ndryshme të taksimit të pasurisë për më të pasurit, me qëllim që të adresojnë pakënaqësinë e shkaktuar nga pabarazia dhe të mobilizojnë votuesit e tyre.
Organizatat e punëdhënësve në përgjithësi i kundërshtojnë fuqimisht këto forma të taksimit, duke besuar se ato mund të dëbojnë sipërmarrësit që krijojnë vende pune dhe rritje.
Spanja tashmë ka një taksë solidariteti mbi pasuritë e mëdha, të futur në fuqi në vitin 2022 dhe të aplikuar për asetet neto prej më shumë se tre milionë eurosh.
Kjo taksë u vendos me qëllim plotësimin e taksave rajonale të pronës dhe sigurimin që taksapaguesit me pasurinë më të madhe të marrin pjesë në përpjekjen fiskale pavarësisht nga vendi i tyre i banimit.
Nga ana e saj, PP propozon ulje të taksave për personat me të ardhura të mesme dhe të ulëta, si dhe për punëtorët e rinj.
