Valon Lluka, ish-administratori i aeroportit të Vlorës, është vënë në prangat e policisë së Kosovës, i akuzuar për mashtrim.
Biznesmeni, është prangosur nën dyshimin e konsumit të tre veprave penale dhe konkretisht “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” dhe “Lidhja e kontratës së dëmshme”.
Mbetet e paqartë nëse prangosja e tij ka të bëjë me akuzat e biznesmenit Behgjet Pacolli, i cili pretendon se Lluka ka ërë pagesa në shuma prej 1.6 milionë eurosh për një kompani nga Emiratet Arabe, lidhur me shërbime të cilat nuk janë kryer.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi”, nga neni 323, “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, nga neni 318, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 284, si dhe veprës penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 285 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Lidhur me rastin në fjalë, prokurori i çështjes, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të rastit. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurimit ndaj të pandehurit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Prishtinë, raportojnë mediat e Kosovës.



