Teksa protesta e zhvilluar në Ditën e Pavarësisë u shoqërua me tensione dhe përplasje mes efektivëve dhe qytetarëve, avokati Gentian Tërnova u shpreh se fokusi nuk duhet të jetë te fakti se kush doli fitues në terren, por tek arsyet që po i shtyjnë qytetarët të përballen prej ditësh me gazin lotsjellës.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për MCN Live, Tërnova theksoi se qeveria nuk mund të rrëzohet me dhunë apo përmes hyrjes në godinat institucionale, pasi legjitimiteti i saj buron nga Parlamenti dhe vota, por shtoi se këmbëngulja e protestuesve përbën një sinjal serioz që kërkon reflektim.
Sipas tij, ndonëse tubimi nuk solli rrëzimin e ekzekutivit, qeveria po zgjedh të mos reflektojë përballë pakënaqësisë popullore, duke injoruar mesazhet që vijnë nga sheshi.
Protesta ka disa ditë që ka vijuar me ato lëkundjet e veta; sot ishte një ditë ku është ushtruar dhunë nga të dyja palët, si nga ana e policisë, ashtu dhe e protestuesve. Nuk duhet të shohim se kush ishte fitues sot, policia apo protestuesit. Edhe nëse protestuesit do hynin në Kryeministri, nuk është se do ndodhte ndonjë gjë e madhe përveç dëmeve materiale, por nuk rrëzohet qeveria duke sulmuar institucionet. Duhet parë pse njerëzit janë kaq këmbëngulës për të vijuar protestën në kaq shumë ditë, duke rrezikuar dhe jetën e tyre, se të përballesh me policinë e me gazin lotsjellës dhe të vazhdosh akoma, atëherë kjo duhet parë. Duke qenë se protesta nuk arriti ta rrëzonte dot qeverinë sot ashtu siç u pretendua, qeveria ka legjitimitetin e vet që i buron nga Parlamenti, që i jep të drejtën për të ushtruar qeverisjen e vendit. Por protesta është një mesazh; rrugët janë dorëheqja, votimi në Parlament dhe zgjedhjet e popullit, nuk mund të rrëzohet me dhunë. Mesa duket qeveria nuk ka reflektuar nga protesta popullore, sepse nuk i pëlqen realiteti. Në Shqipëri nuk e kemi ende kulturën e qeverisjes demokratike. Protesta e sotme nuk ka përfunduar me këtë të sotmen.
