Paketa e re Fiskale për vitin 2027 do të rëndojë ndjeshëm buxhetin e familjeve dhe bizneseve në vend. Eksperti i njohur i Ekonomisë, Mateo Spaho, ka lëshuar një paralajmërim të fortë, duke zbërthyer shifrat e buxhetit të ri.
Në një lidhje skype për MCN, sipas tij, pas llogaritjeve të rritjeve dhe uljeve të taksave, efekti neto është një goditje e drejtpërdrejtë, plot 140 milionë euro do të merren direkt nga xhepat e qytetarëve.
Spaho thekson se kjo barrë e re do të detyrojë çdo shqiptar të punojë afërsisht 4 muaj rresht vetëm për të shlyer detyrimet ndaj shtetit, përpara se të fillojë të mendojë për të ardhurat e veta.
Eksperti shpjegon se megjithëse qeveria premton ulje të TVSH-së për 54 produktet bazë të shportës nga 20% në 6%, kjo masë do të zhvlerësohet plotësisht nga rritja e TVSH-së së përgjithshme në 21% për të gjitha mallrat e tjera, si dhe nga dyfishimi i tatimit mbi dividentin nga 8% në 15%.
Po ashtu, sipas tij skema e re e taksimit të makinave ku hiqet taksa nga nafta dhe i vendoset mjetit si tarifë fikse prej 300-400 eurosh në vit do të rrisë drastikisht pagesat e qytetarëve.
Prezantohet se do të jetë buxheti më i madh, por harrohet të thuhet se këto 10 miliardë euro do të dalin pikërisht nga xhepat e familjeve dhe bizneseve shqiptare. Pra, është në fakt një sakrificë do të t'i duhet qytetarit shqiptar që të punojë në 30% të vitit, pra 4 muajt e parë të vitit, për të paguar taksat dhe pastaj të fillojë dhe të punojë për veten e vet.
Problematika është, ta heqim këtu ta vendosim atje, por në fakt, në të tërën, i kërkohet privatit, i kërkohet shqiptarëve që të japin rreth 140 milionë euro më shumë në raport me vitin e kaluar, ka dhe një efekt neto, pra janë 140 milionë euro që merren nga xhepat e shqiptarëve.
Spaho, tha se do të ketë një rritje të menjëhershme prej të paktën 1% për të gjitha produktet në treg.
Parashikohet një rritje e tatimit mbi vlerën e shtuar nga 20 në 21% për të gjitha produktet. Çfarë është e sigurt është që me 1% do të rritet çmimi për të gjitha të tjerat. Ndërkohë që shpresohet nga ana e qeverisë që të ulen çmimet me 14% për produktet bazë, produktet ushqimore. Por kjo shpresë nuk është një siguri për konsumatorët shqiptarë sepse askush nuk na garanton.



