Memaliaj ka dalë hapur kundër shkrirjes së bashkisë. Në emisionin “Fol” në MCN TV, banorët e “Qytetit të Minatorëve” denoncuan atë që e konsiderojnë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj qytetit, 53 fshatrave dhe mijëra banorëve të tij.
“Shkrirja e bashkisë heq gjithçka, çdo shërbim”, thanë banorët, duke paralajmëruar se dokumentet dhe shërbimet që sot i marrin pranë shtëpisë do t’i kërkojnë në Tepelenë, Gjirokastër apo edhe Lushnjë.
Po u shkri bashkia, do të ikin bizneset. Do të ikin njerëzit, se nuk do të ketë më shërbime.
Në “Fol”, banorët e lidhën shkrirjen me rrezikun e një vale të re shpopullimi.
Reforma e vitit 2014 shpopulloi fshatrat. U shkrinë komunat, u shpopulluan fshatrat. Po t’u ikë edhe bashkia, popullsia do të vazhdojë rënien.
Banorët akuzuan qeverinë se Memaliaji u la pas në investime dhe se shërbimet do të largohen nga komunitetet më të thella.
Rama nuk na ka dhënë investime. Kryetari po punon me ato pak të ardhura nga bizneset.
Në emision u ngritën edhe akuza të forta për tokat dhe Paketën e Maleve.
8300 hektarë tokë në Memaliaj pjesë e Paketës së Maleve.
Një tjetër banor ngriti pyetjen: “Si mund ta hap bujtinën kur ma merr tokën? Si të kthehem në Memaliaj kur po më heq bashkinë?”
Përballë deklaratave se Memaliaj dhe Tepelena do të jenë “dy qytete të barabarta”, banorët u përgjigjën prerë: “Ky është një mashtrim!”
Banorët kërkuan që bashkia të mos shkrihet dhe bënë thirrje për protestë më 8 tetor.
Ne duam që bashkia e Memaliajt të ekzistojë. Ky është shkatërrim. Rama po shkatërron një qytet të tërë.
Mesazhi i tyre ishte i qartë: “Memaljotët, pa dallim, të vijnë në protestë në datën 8-të.”



