Ngjarja e rëndë e regjistruar paraditen e djeshme në Fier, ku mbetën të vrarë dy persona, dyshohet se ka si pistë kryesore hakmarrjen për ngjarje të ndodhura dy dekada më parë. Një nga viktimat, i njohur me nofkën “Sel Çami”, kishte vetëm 20 ditë që kishte lënë qelinë e burgut, ku vuante dënimin për një vrasje të dyfishtë të kryer vite më parë në qendër të qytetit.
Lidhur me dinamikën e ngjarjes dhe prapavijën e viktimës, gazetari Sokol Bregu, deklaroi në "MCN Live" se krimi ishte i mirëmenduar dhe se viktima u kap në befasi, pasi nuk kishte marrë masa mbrojtëse pas daljes nga burgu.
Sipas tij, viktima ishte një emër i njohur për rrezikshmërinë e tij dhe ndonëse ishte dënuar me 25 vite burg, kishte fituar lirinë pas rreth 17 vitesh për shkak të uljeve të njëpasnjëshme të dënimit.
Është një histori që vjen për shkak të hakmarrjeve. Fieri ishte larguar për shumë kohë nga të tilla vrasje, por kur ekziston kjo qetësi e madhe dhe palët bien në një gjendje gjumi, atëherë ndodh dhe hakmarrja. Piketa e parë që policia ka ngritur është ajo e një historie të vjetër, ku viktima kishte kryer një ekzekutim të dyfishtë dy dekada më parë në qendër të Fierit. Kishte dalë para pak ditësh dhe duket se s'kishte marrë masa për t'u mbrojtur. Ka qenë në vrojtimin e dikujt dhe është gjetur në befasi. Kundërshtarët e kanë parë se cilat ishin veprimet që po kryente dhe kanë marrë hak. Në Fier hakmarrjet nuk para harrohen, megjithatë policia në rastin konkret nuk ka mundur dot ta parandalojë, edhe pse në këto kohë duhet të jetë e vështirë të parandalosh ngjarje të tilla.
Duke komentuar mënyrën e ekzekutimit dhe profilin e autorëve të dyshuar, Bregu theksoi se orari i zgjedhur dhe rrethi i kundërshtarëve të viktimës e bëjnë ngjarjen akoma më komplekse për hetuesit.
Bie në sy se krimi është kryer paradite, atëherë kur askush nuk e priste. Kemi ardhur në pikën në Shqipëri që nëse do të kryesh një krim, e kryen; problemi mbetet zbardhja e tij. Nuk di të them nëse është vrasje me pagesë apo jo, sepse edhe kundërshtarët e personit në fjalë janë ata që mendohet se kanë një emër në krimin e organizuar në Shqipëri, kështu që mund ta kenë bërë vetë, mund të kenë përdorur të tjerë, por mund të jetë dhe dikush tjetër.
