
Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit të koduar “The Wanted”, ku është bërë i mundur arrestimi i një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili fshihej në Greqi nën një identitet të rremë.
I arrestuari është Zef Preldakaj alias Fran Preldakaj, 44 vjeç, i cili në shtetin fqinj ai përdorte identitetin e rremë Nikolin Pali dhe kishte ndryshuar edhe datëlindjen, por identifikimi i tij me gjeneralitete të sakta u arrit falë ekspertimit të thelluar të të dhënave biometrike nga specialistët e Institutit të Policisë Shkencore.
Në vitin 2008, Gjykata e Shkodrës e ka dënuar këtë shtetas me 22 vjet burgim për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, kryer në bashkëpunim.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2002. Sipas hetimeve të provuara, 44-vjeçari së bashku me shtetasit shqiptarë të arrestuar, A. N. dhe B. D., shkuan në subjektin e dy vëllezërve, S. V. dhe S. V., në fshatin Shtoj i Vjetër, me qëllim për të grabitur xhiron ditore.
Gjatë tentativës së njërit prej vëllezërve për t'i marrë armën shtetasit B. D., shtetasi A. N. qëlloi me armë në drejtim të të dy vëllezërve, të cilët humbën jetën në vendngjarje. Nga hetimet u vërtetua se Zef Preldakaj (alias Fran Preldakaj) ka qëndruar te dera e subjektit për të mbuluar dhe siguruar veprimet e bashkëautorëve dhe më pas është larguar së bashku me ta.
Përveç dënimit të marrë në Shqipëri, 44-vjeçari akuzohet për krime të rënda edhe nga autoritetet greke. Në vitin 2020, ai është akuzuar në Korinth të Greqisë për vrasjen e një shtetasi grek dhe një shtetaseje ukrainase, trupat e të cilëve u gjetën brenda një automjeti.
Po ashtu, në vitin 2014, rezulton i përfshirë në grabitje me armë dhe shkelje të ligjit për armët. Në vitin 2013, rezulton me precedentë për shkelje të ligjit për rregullimin e tregut të lojërave të fatit. Në vitin 2005, rezulton i skeduar për posedim të lëndëve narkotike.
Aktualisht, Interpol Tirana po vijon bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet greke për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi, si dhe për të përgatitur të gjithë dokumentacionion e nevojshëm zyrtar me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
