Analisti Aleksandër Çipa, thotë se kredibiliteti i Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike është djegur përballë qytetarëve.
Duke folur për MCN, lidhur me debatin që është hapur tashmë për reformën zgjedhore ai deklaron se klasa politike e vjetëruar do të duhet të gjeneronte një formulë të re.
Sipas tij, kërkesa e opozitës për lista 100% të hapura, bëhet për të fituar mbështetje dhe për të dalë nga situata e ndëshkimit politik.
Dy kahet e politikës në Shqipëri e kanë humbur kredibilitetin. Ne nuk kemi një proces zgjedhor me pastërti, pa ndotje zgjedhore, korrupsion zgjedhor dhe abuzivizëm. Do të duhet që protestat ta ndryshonin qasjen dhe të mos përsërisnin marrëveshjen bilaterale për proceset zgjedhore.
Klasa politike e vjetëruar do të duhet të gjeneronte një formulë të re. Por besnikëria ndaj imazhit të vjetër dhe të pandryshueshëm do të triumfojë. Ndryshe nga më herët kësaj radhe përsëritet verdikti i njëanshmërisë. Në mënyrë tradicionale të dyja kahet e kanë gjetur gjuhën e përbashkët në momentin e fundit, edhe kësaj radhe nuk e përjashtoj mundësinë.
Të dyja kahet e politikës janë në një situatë vërtetë të vështirë, jo vetëm në raport me elektoratin, por me kredibilitetin e tyre. Opozita kërkon në këto momente lista 100% të hapura dhe ndryshim të sistemit duke hedhur idenë e atij proporcional kombëtar.
E bën që të fitojë një mbështetje dhe për të dalë nga kjo situatë e ndëshkimit publik. Koalicioni mbarëkombëtar opozitar i kërkuar nga Berisha nuk besoj se mund të realizohet.
