Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi në një deklaratë për mediat pas zhvillimeve të tensionuara në Tiranë, duke e cilësuar protestën e 28 Nëntorit si një “betejë epike” dhe një festim të paprecedentë të Ditës së Flamurit.
Sipas tij, dhjetëra mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora u përballën me forcat e rendit prej orës 10:00 të mëngjesit, duke mos e lëshuar Sheshin “Skënderbej”. Berisha akuzoi qeverinë për përdorim të mjeteve të rënda tokësore e ajrore, gazit lotsjellës dhe ujit me presion, jo vetëm ndaj protestuesve, por edhe ndaj gazetarëve e qytetarëve të pafajshëm.
Emri i Shqipërisë, flamuri i kombit tonë u lartësuan në nivelet më të larta falë guximit, sakrificës, qëndresës së dhjetëra mijëra qytetarëve, të cilët u përballën dhëmb për dhëmbë me falangat e krimit të narkodiktaturës nga ora 10:00 deri tani që vazhdon një betejë e ashpër. Në këtë përballje epike, të rinj dhe të reja, qytetare dhe qytetarë të moshave të ndryshme, bindjeve të ndryshme, të ardhur nga të katër anët e Shqipërisë, por dhe nga diaspora, zhvilluan një betejë heroike në kushtet më të pabarabarta. Narkoregjimi përdori të gjitha mjetet tokësore, ajrore, snajperë dhe lartësira, tonelata gazi dhe ujë të helmuar, por protestuesit nuk u mposhtën; ata e mbajtën dhe vazhdojnë ta mbajnë për orë të tëra kryesheshin e kombit, duke nderuar kështu heroin tonë kombëtar, Skënderbeun.
Kreu i PD-së raportoi se mbi 21 protestues janë paraqitur në spital me dëmtime të rënda, ndërsa denoncoi goditjen me plumba gome të intelektualëve, gazetarëve, madje edhe të një kamarieri që po shërbente pranë Teatrit të Operës dhe Baletit.
Nuk është festuar ndonjëherë Dita e Flamurit dhe e Kombit si këtë herë. Në përballje me regjimin mbi 21 protestues u detyruan të paraqiten në spital, dhjetëra të tjerë janë mjekuar në kushte jospitalore, por regjimi theu kocka e gjymtyrë, çau kafka, përdori breshëri plumbash, mjete të tjera të dhunshme, përdori topat e ujit, të cilët siç e patë u drejtuan dhe kundër gazetarëve dhe operatorëve të mediave që ai i konsideron armik. U goditën me shënjestër intelektualë të shquar të vendit, vetëm e vetëm se kanë qenë dhe qëndruar të palëkundur në protestë dhe në anën e protestuesve. U goditën mbi sy, faqe, pas koke, djem dhe vajza që nuk po kryenin asnjë akt dhune. U plagos rëndë me plumb gome kamarieri që shërbente në kafene te Opera.
Duke e krahasuar sasinë e gazit të hedhur me taktikat ruse në Ukrainë, Berisha e shpalli ditën e parë të protestës si një triumf të guximit qytetar dhe paralajmëroi vijimin e saj edhe ditën e nesërme, ndërsa shprehu mirënjohje të veçantë për emigrantët e ardhur nga diaspora.
Sasi kolosale gazrash u hodhën njësoj si rusët në Ukrainë; pra Edi Rama përdori të gjitha mjetet kundër protestuesve, por ata dhe tani sheshin e kanë në dorë. Kjo ishte një betejë e jashtëzakonshme, dita e parë e saj u kurorëzua me triumfin e guximit, heroizmit të protestës. Kam besim të madh se nesër dita e dytë e saj do të jetë po kaq, në mos edhe më madhështore dhe e jashtëzakonshme. Mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre që morën pjesë, veçanërisht për qindra e qindra shqiptarë që erdhën në këtë protestë nga mijëra kilometra larg dhe u rreshtuan me bashkëatdhetarët e tyre duke përfaqësuar diasporën.
