Një godinë e vogël në zonën e Zvërnecit, pikërisht pranë dalanit të parë, aty ku kanali i Lagunës së Nartës lidhet me detin, është përfshirë nga flakët mesditën e sotme.
Godina, e cila shërbente për magazinimin e materialeve të peshkimit, është përfshirë nga zjarri rreth 30 minuta më parë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Vlorës, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve.
Zjarri rrezikonte të përhapej edhe në pyllin me pisha pranë godinës, por ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë të mundur neutralizimin e situatës.
Sipas shërbimit zjarrfikës, paraprakisht dyshohet se shkak i rënies së zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike. Ndërkohë, pritet të përcaktohen rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.



