
Një karikaturist në Marok u dënua me katër vjet burg për fyerjen e mbretit me karikaturat e bëra ndaj sovranit, Muhamedit VI.
Avokati Farouk Mehdaoui, i cili njoftuar apelin e tij, tha se 22-vjeçari Yasser Mounbir u gjobit gjithashtu me 40.000 dirham, ose rreth 4000 dollarë për veprën penale.
I riu u arrestua në qershor pasi postoi karikatura të monarkut në Instagram, një vendim i protestuar nga Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut, e cila bëri thirrje për lirimin e tij.
Neni 179 i Kodit Penal Maroken ndalon “Shpifjen, fyerjen ose shkeljen e jetës private të mbretit” dhe parashikon dënime me burgim nga gjashtë muaj deri në dy vjet.
Dënimet mund të dyfishohen nëse vepra penale kryhet në mediat sociale.
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për heqjen e ligjeve, të cilat ata argumentojnë se pengojnë lirinë e fjalës, dhe për falje për të dënuarit.



