Festat e 28-29 Nëntorit kanë rikthyer fluksin e lartë të turistëve në bregdetin shqiptar, duke çuar në mbi 90% rezervimin e kapaciteteve hoteliere në Vlorë dhe Durrës.
Qytetet bregdetare po përjetojnë një gjallëri të pazakontë për këtë periudhë të vitit, të nxitur kryesisht nga vizitorët prej Kosovës, trojeve të tjera shqipfolëse dhe diaspora.
Në qytetin e Pavarësisë, atmosfera festive ka nisur më herët me aktivitete të shumta kulturore, çka ka reflektuar menjëherë në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve.
Në "MCN Live", gazetarja Ariola Hasanaj raportoi mbi ecurinë e prenotimeve dhe programin e festimeve në qytetin bregdetar.
Fluks të lartë turistësh ka sjellë 28-29 Nëntori në Vlorë. Ka pasur interes të lartë rezervimesh në hotele, të cilat sipas raportimeve të tyre në disa raste kanë arritur deri në 90% të kapaciteteve. Interes të madh ka pasur nga Kosova, por edhe nga shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Ky fluks pritet të ndikojë pozitivisht në bizneset që ofrojnë shërbime për turistët. Aktivitetet kulturore kanë nisur që në datën 26, me festivalin folklorik ku nuk marrin pjesë vetëm artistë nga Vlora, por janë përfshirë edhe shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, si dhe nga Tirana, Durrësi e më gjerë. Bizneset, duke qenë se kanë pasur fluks të lartë, kanë mbajtur të njëjtat çmime dhe të njëjtat paketa edhe për festat e Nëntorit. Megjithatë, ndërsa për këto festa ka pasur rezervime të larta, pjesa tjetër e periudhës së dimrit mbetet me shifra shumë të ulëta për qytetin e Vlorës.
Një panoramë e ngjashme paraqitet edhe në qytetin e Durrësit, ku hotelet përgjatë vijës bregdetare janë thuajse të mbushura plot, me vizitorët nga Kosova që mbajnë peshën kryesore të turistëve. Gazetarja Ervina Garo theksoi se ky trend po konsolidohet tashmë si një traditë e përvitshme.
Edhe këtë vit rezulton se rreth 90% e kapaciteteve akomoduese në Durrës janë të zëna për festat e Nëntorit. Pjesën më të madhe të tyre e zënë vëllezërit dhe motrat tona besnike të Kosovës. Rreth 80% e pushuesve janë shqiptarë të Kosovës që kanë zgjedhur t'i kalojnë këto dy ditë festash në Durrës, duke e cilësuar këtë si një turizëm patriotik.
