
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ka finalizuar një hetim me metoda speciale në qytetin e Gramshit për goditjen e një grupi të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, në zbatim të vendimit të gjykatës janë ushtruar kontrolle në banesat e disa shtetasve, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale mbi 560 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë dhe 150 gramë kanabis.
Në vijim të veprimeve procedurale, strukturat ligjzbatuese morën këto masa ndaj të dyshuarve:
-U arrestuan në flagrancë shtetasit T. H., 33 vjeç dhe R. H., 39 vjeç (ndaj të cilëve ishte caktuar më parë masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale).
- U ndalua me urdhër të prokurorit shtetasi E. S., 46 vjeç.
- U shpall në kërkim shtetasi A. J., 31 vjeç.
Po hetohet i tërë zinxhiri i shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe të disa efektivëve të policisë qe kanë pasur njohuri për këto shpërndarje dhe nuk e kanë lajmëruar në polici.
Në fazën fillestare, dyshimet e ngritura përfshinin edhe mundësinë e implikimit të efektivëve të Policisë së Gramshit dhe Elbasanit në këtë aktivitet të paligjshëm, çka bëri që në operacion të përfshihej AMP-ja.
AMP bën me dije se në kuadër të këtij procedimi penal vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të përfshirjes së mundshme të punonjësve të Policisë së Shtetit në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.
