NASA-s ka zbuluar të dhëna të reja që tregojnë se uji ka ndryshuar disa herë gjatë historisë shkëmbinjtë në kraterin Jezero në Mars. Analizat tregojnë për të paktën tre episode të ndryshme të aktivitetit ujor në të njëjtën zonë.
Shkencëtarët analizuan shkëmbinjtë e të ashtuquajturës “Njësia Margjinale”, ku fillimisht prisnin të gjenin sedimente të formuara nga një liqen i lashtë. Megjithatë, rezultatet treguan se zona përbëhet nga shkëmbinj magmatikë, të cilët më pas janë transformuar nga kontakti me ujin.
Në fazën e parë, ujërat e pasura me dioksid karboni kanë qarkulluar nëpër shkëmbinj dhe kanë reaguar me olivinën, duke krijuar karbonate në çarjet e tyre.
Episodi i dytë lidhet me liqenin e lashtë që dikur mbulonte kraterin Jezero. Perseverance ka identifikuar silicë në disa shkëmbinj, veçanërisht në ata që ndodheshin nën nivelin e dikurshëm të ujit. Këto minerale konsiderohen me interes pasi, në rrethana të caktuara, mund të ruajnë gjurmë të lidhura me aktivitetin mikrobial të së kaluarës.
Një fazë e tretë ka përfshirë qarkullimin e ujit të nxehtë. Në pjesën lindore të zonës janë zbuluar damarë mineralë rreth 25 centimetra të trashë, që përmbajnë sulfat kalciumi dhe fluorit. Sipas studiuesve, prania e fluoritit tregon se ujë i nxehtë mund të ketë qarkulluar nëpër shkëmbinjtë vullkanikë.



