Një aksident i rëndë ka ndodhur pas mesnate në aksin rrugor Kardhiq - Delvinë, në vendin e quajtur Skërficë, ku një automjet është përfshirë nga flakët.
Mjeti i tipit Volkswagen Touran, i cili drejtohej nga 37-vjeçari Maridon Dhuli, i lindur dhe banues në fshatin Fterrë të Bashkisë Himarë, ka marrë zjarr në ecje e sipër. Si pasojë e përhapjes së flakëve, drejtuesi i automjetit ka pësuar djegie të rënda.
Në ndihmë të tij kanë shkuar fillimisht kalimtarët e rastit. Njëri prej tyre, Sokol Ahmetaj nga Saranda, i cili po udhëtonte nga Tirana, ka arritur të shuajë flakët në trupin e 37-vjeçarit duke i hedhur xhupin e tij. Ai ka njoftuar menjëherë spitalin dhe shërbimet e qarkullimit rrugor.
I plagosuri ka marrë ndihmën e parë në urgjencën e Sarandës dhe më pas është transportuar me ambulancë drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar, pasi raportohet se ka pësuar djegie të shkallës së tretë.
Për shuarjen e zjarrit në automjet ka ndërhyrë shërbimi zjarrfikës, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.



