Rezervuari i Okshtunit në Rrogozhinë rikthehet në vëmendjen e emisionit “Xhadat”, pas denoncimit të bërë më herët nga qytetari Hajdar Gjoka, i cili prej vitesh ushtron aktivitetin e rritjes dhe tregtimit të peshkut.
Gjoka kishte denoncuar më herët tek Xhadat” se rezervuari ishte zbrazur dhe peshqit që kishte hedhur e rritur në të kishin ngordhur. Sipas tij, aktiviteti i tij ishte i regjistruar dhe ai dispononte dokumentacion për ushtrimin e profesionit.
Në rikthimin e “Xhadat”, rezervuari tashmë rezulton i mbushur me ujë, por problemi për qytetarin nuk është zgjidhur. Ai thotë se prej vitit 2022 ka mbetur pa mundur të ushtrojë aktivitetin e tij, pasi nuk po arrin të marrë në dorëzim rezervuarin dhe të lidhë kontratën përkatëse.
Pikërisht këtu nis edhe përplasja mes institucioneve.
Drejtori i Bujqësisë në Bashkinë Rrogozhinë, Elton Xhani, i tha “Xhadat” se për marrjen në dorëzim të objektit duhej fillimisht një kontratë nga Ministria e Bujqësisë dhe më pas një akt-marrëveshje me Bashkinë.
Por në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, drejtori i Politikave, Strategjisë dhe Programeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Vasjar Shermadhi, dha një tjetër sqarim. Sipas tij, pas ndryshimeve ligjore, të drejtat për lejet e peshkimit u janë kaluar bashkive dhe marrëveshja për aktivitetin duhet të bëhet me Bashkinë.
Pra, qytetari përballet me dy përgjigje të ndryshme: Bashkia e orienton drejt Ministrisë, ndërsa Ministria e orienton drejt Bashkisë.
“Xhadat” u rikthye në Bashkinë Rrogozhinë për t’i kërkuar drejtorit Elton Xhani një sqarim përfundimtar dhe për t’i paraqitur edhe qëndrimin e Ministrisë.
Por takimi nuk u realizua.
Gazetari kërkoi fillimisht të kontaktonte drejtorin, por iu tha se ai ndodhej në terren. U kërkua edhe një numër telefoni për të komunikuar me të, por ky numër nuk u vu në dispozicion.
Më pas, gazetari dhe qytetari kërkuan të takonin një specialist tjetër që mund të sqaronte procedurën dhe t’i jepte një zgjidhje qytetarit. Përgjigjja ishte se çështjen mund ta sqaronte vetëm drejtori.
Situata vijoi për disa orë në ambientet e Bashkisë Rrogozhinë, ku gazetari kërkoi të komunikonte edhe me persona të tjerë përgjegjës në institucion.
Sipas pamjeve të “Xhadat”, në orën 15:15 një prej punonjëseve të informacionit largohet nga ambientet e bashkisë, ndërsa gazetari dhe qytetari vijojnë të presin për një përgjigje.
Pak minuta më vonë, rreth orës 15:20, dalin nga bashkia edhe punonjëse të tjera. Njëra prej tyre, e pyetur nga gazetari për largimin para përfundimit të orarit zyrtar të punës, deklaron se po largohej për të ngrënë drekën dhe më pas sipas punonjëses arsyeja e largimit nga puna jashtë orarit ishte se mbante "dietë”.
Ndërkohë, brenda institucionit nuk gjendet më një zyrtar që t’i japë qytetarit përgjigjen që kërkon për kontratën.
Në ambientet e bashkisë mbeten edhe punonjës të Policisë Bashkiake, të cilët nuk lejojnë gazetarin dhe qytetarin të hyjnë në zyrën e drejtorit pa autorizimin përkatës.
Pas disa orësh pritjeje, përgjigjja konkrete për qytetarin mungon ende.
Kështu, historia e rezervuarit të Okshtunit tashmë nuk lidhet vetëm me peshqit e ngordhur apo me objektin që u zbraz. Ajo është kthyer në një përplasje administrative ku qytetari thotë se ka dokumentacion për aktivitetin e tij, Ministria e orienton te Bashkia, ndërsa Bashkia i kërkon një dokument nga Ministria.
Pyetja mbetet: Kush duhet t’ia japë Hajdar Gjokës kontratën që i nevojitet për të ushtruar aktivitetin e tij dhe pse, pas gjithë kësaj kohe, qytetari ende nuk po merr një përgjigje të qartë?



