Një anije mallrash ruse e lidhur me ushtrinë është goditur nga dronë dhe është përfshirë nga flakët këtë të shtunë në Detin Baltik. Autoritetet finlandeze dyshojnë se pas sulmit qëndron Ukraina, ndërsa anija ka përfunduar në ujërat territoriale të Finlandës.
Anija “Sparta II”, e cila po udhëtonte drejt enklavës ruse të Kaliningradit, u sulmua në ujërat ndërkombëtare, pranë ishullit rus Gogland. Të 16 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan dhe u transferuan në një anije tjetër ruse.
Zëdhënësi i Forcave të Armatosura finlandeze, Aki-Mauri Huhtinen, deklaroi se Ukraina ka të ngjarë të jetë përgjegjëse për sulmin, por motivi i goditjes mbetet i paqartë.
Kryeministri finlandez, Petteri Orpo, paralajmëroi se pasojat e luftës po shtrihen në vendet fqinje, duke theksuar njëkohësisht të drejtën e Ukrainës për tu mbrojtur nga agresioni rus.
Pas incidentit, Finlanda vendosi kufizime të përkohshme për trafikun ajror dhe detar në Gjirin e Finlandës. Ndërkohë avionë luftarakë suedezë u angazhuan në mbrojtjen e hapësirës ajrore, ndërsa Estonia dërgoi një anije për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit.
Autoritetet finlandeze raportuan gjithashtu një shkelje të dyshuar të hapësirës së tyre ajrore nga një helikopter rus gjatë operacionit.
“Sparta II” është nën sanksionet amerikane dhe lidhet me kompaninë Oboronlogistika, e cila ofron shërbime logjistike për Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Ende nuk është konfirmuar nëse anija transportonte materiale ushtarake.
Nga ana tjetër, autoritetet ruse deklaruan se anija u godit nga dy dronë, ndërsa 80 të tjerë u rrëzuan gjatë natës mbi rajonin e Leningradit. Deri tani, Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
