Gjatë fundjavës së kaluar, Lotaria e Masaçusetsit publikoi një fotografi të Ariel Velasquez-Morales, i cili buzëqeshte teksa mbante në duar një çek gjigant me vlerën e 1 milion dollarëve të fituara.
Në rrjetet sociale, komentuesit e uruan përzemërsisht, duke i shkruar se shpresonin që me ato para “t’i bënte realitet të gjitha ëndrrat”.
Por gëzimi i tij zgjati vetëm pak ditë. Velasquez-Morales u arrestua të martën nga agjentët e Zyrës së Emigracionit dhe Doganave (ICE) në Bostonin Lindor, pikërisht në të njëjtën lagje ku kishte blerë biletën gërvishtëse fituese prej 10 dollarësh në një dyqan lokal.
Ai tani përballet me deportimin, pasi autoritetet deklarojnë se shtetasi salvadorian ka qëndruar ilegalisht në Shtetet e Bashkuara për më shumë se një dekadë.
“Duket sikur fati i tij mbaroi”, deklaroi Ndihmësdrejtori i Çështjeve Publike i ICE-së, Micah Bock, në njoftimin ku bëhej i ditur arrestimi.
Ende nuk është e qartë nëse publikimi i fotografisë me çmimin e madh tërhoqi vëmendjen e agjentëve të emigracionit, ndërsa ICE refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të CNN mbi rrethanat që çuan në ndalimin e tij apo vendin ku po mbahet.
Sipas autoriteteve amerikane, Velasquez-Morales hyri ilegalisht në SHBA në vitin 2013, gjatë administratës Obama, përmes Luginës Rio Grande në Teksas. Asokohe, agjentët e Patrullës Kufitare i lëshuan një fletëthirrje për t’u paraqitur para një gjyqtari emigracioni dhe e lanë të lirë.
Një vit më pas, në 2014-ën, një gjyqtar i Departamentit të Drejtësisë urdhëroi dëbimin e tij, por ai vijoi të qëndronte pa dokumente në vend.
Arrestimi vjen në kuadër të operacioneve të ashpra të administratës së Presidentit Donald Trump për deportimet masive, të cilat në mandatin e tij të dytë janë përqendruar në brendësi të vendit.
Deri në korrik 2026, numri i të ndaluarve në qendrat e paraburgimit të ICE-së arriti në gati 66,000 persona – një rritje prej rreth 70% krahasuar me një vit më parë, ndonëse pas zgjedhjeve të mesit të mandatit vetë Trump ka vënë në pikëpyetje publikisht ashpërsinë e këtyre taktikave.
Velasquez-Morales kishte fituar në lojën “2,000,000 dollarë 50X Cashëord”, ku lojtarët gërvishtin një biletë të ngjashme me fjalëkryqin. Sipas lotarisë, ajo ishte bileta e parë që ai kishte gërvishtur dhe arriti të zbulonte 11 fjalë të plota.
Ai kishte zgjedhur ta merrte çmimin menjëherë në para të gatshme, çka përkthehet në një shumë totale prej 650,000 dollarësh (përpara taksave).
Sipas rregullave të lotarisë së Masaçusetsit, lojtarët nuk kanë nevojë të jenë banorë të ligjshëm të shtetit për të luajtur, por mjafton të jenë mbi 21 vjeç dhe të ndodhen brenda shtetit në momentin e blerjes së biletës.
Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë tani me paratë e tij pas arrestimit dhe procedurave për deportim.
