Avokati Erald Aga, ka komentuar arrestimin e ish-drejtorit të Kadastrës së Fierit dhe të noteres Ani Haxhiu për tjetërsimin e pronave, duke e cilësuar ngjarjen si një skemë të mirëfilltë kriminale ku përfshihen disa hallka shtetërore.
Në një lidhje skype për MCN, Aga tha se ky rast është vetëm "maja e ajsbergut", pasi falsifikimi i dokumenteve dhe ndërrimi i hartave është një fenomen i përhapur në të gjithë Shqipërinë, ku qytetarët detyrohen të përballen me kalvare gjyqësore 10 deri në 20-vjeçare.
Në këtë skemë patjetër kanë gisht, përveç punonjësve të hipotekës, përveç zyrtarëve të lartë në qeveri, edhe noterët. Një pjesë e mirë e tyre kanë marrë pjesë duke falsifikuar dokumente apo duke vënë në dispozicion harta që nuk kanë qenë ato që qytetarët kanë nënshkruar.
Kjo është një skemë e grabitjeve të pronave që ka kohë që ndodh dhe është vetëm maja e ajsbergut. Po t’i hyhet një hetimi në të gjithë Shqipërinë, ka falsifikim dokumentesh.
Aga ngriti gjithashtu shqetësimin se deri më sot noterët e kapur me falsifikime nuk janë ndëshkuar, duke bërë fajtore të drejtpërdrejtë edhe Dhomën Kombëtare të Noterëve.
Ajo që më ka munguar gjithë këtë kohë është që deri më sot, shumë noterëve që u janë zbuluar përmes gjykatës apo prokurorisë akte të falsifikuara, nuk u është hequr licenca dhe nuk ka mbajtur njeri përgjegjësi.
Unë bëj fajtore edhe Dhomën Kombëtare të Noterëve, e cila megjithëse është investuar për të ngritur sistemin elektronik që t'i ketë të gjitha aktet, kur i bën kërkesë me shkrim për aktet që mungojnë, thotë 'nuk i kemi'. Është çmenduri.
