Të dhënat e Eurostat tregojnë se Shqipëria vijon të përballet me nivele të larta të varfërisë dhe përjashtimit social krahasuar me vendet e tjera europiane. Por përtej shifrave, problemi bëhet më i dukshëm kur vendosim përballë të ardhurat e shqiptarëve dhe shpenzimet që duhet të përballojnë çdo muaj.
Për të kuptuar se si reflektohet kjo situatë në jetën e përditshme, Xhadat pyetën qytetarët: A ju del paga në fund të muajit? A mjaftojnë të ardhurat për të përballuar shpenzimet?
Përgjigjet e tyre tregojnë se për shumë familje, paga konsumohet pothuajse e gjitha për nevojat bazë, ndërsa kursimi mbetet i vështirë. Dallimi me vendet e tjera europiane nuk qëndron thjesht te çmimi i një produkti.
Nëse një qytetar shqiptar dhe një qytetar gjerman blejnë të njëjtin produkt me 1 euro, në pamje të parë çmimi është i njëjtë. Por problemi qëndron te fuqia blerëse dhe te raporti që ky 1 euro ka me të ardhurat mujore.
Nëse të ardhurat e një shqiptari janë shumë më të ulëta se ato të një qytetari gjerman, atëherë i njëjti çmim përbën një barrë shumë më të madhe për familjen shqiptare.
Edhe ekonomisti Pano Soko tregon se vendet baltike kanë kaluar një proces të rëndësishëm zhvillimi ekonomik dhe sot renditen ndër ekonomitë me nivele të larta të të ardhurave në Europë.
Për këtë arsye, sipas tij, Shqipëria mund të përdorë përvojën e vendeve që kanë kaluar nga nivele më të ulëta zhvillimi drejt standardeve më të larta ekonomike.
Në këtë këndvështrim, çështja nuk është vetëm se sa fitojnë shqiptarët sot, por çfarë politikash ekonomike ndiqen për të rritur produktivitetin, pagat dhe fuqinë blerëse.
Shifrat e Eurostat dhe dëshmitë e qytetarëve tregojnë dy anët e të njëjtit problem: Shqipëria mund të ketë çmime që në disa raste afrohen me ato europiane, por të ardhurat nuk janë në të njëjtin nivel.
Dhe pikërisht ky raport mes pagës dhe kostos së jetesës është ai që përcakton se sa realisht mund të blejë një familje shqiptare me paratë që fiton.



