Rritja e inflacionit/ Ceko:  Të heqim lekun dhe të kalojmë në euro. Tole: Shtresat në nevojë më të goditurat

Rritja e inflacionit/ Ceko: Të heqim lekun dhe të kalojmë në euro. Tole: Shtresat në nevojë më të goditurat

Rritja e nivelit të inflacionit në tremujorin e tretë të vitit, zhvlerësimi i vazhdueshëm i euros dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në xhepat e qytetarëve dhe në ekonominë shqiptare ishin në fokus të diskutimeve në studion e "MCN Live".

 

Teksa Banka e Shqipërisë deklaroi se inflacioni ka arritur në 3.2% duke tejkaluar parashikimin fillestar prej 3%, ekspertët e ekonomisë, Enriko Ceko dhe Igli Tole, analizuan shkaqet e këtij fenomeni, dështimin e politikave fiskale dhe pasojat reale në treg. 

 

Sipas ekspertit të ekonomisë Enriko Ceko, shifrat zyrtare të publikuara nga institucionet nuk pasqyrojnë realitetin me të cilin përballen konsumatorët shqiptarë në përditshmëri. Ai u shpreh se forcimi i lekut po shkatërron eksportet dhe se ekonomia po ndikohet nga paratë informale. Për këtë arsye, ai propozoi heqjen e monedhës kombëtare dhe kalimin e plotë në euro.

 

Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë Igli Tole e cilësoi inflacionin si një "brejtës" të heshtur të të ardhurave të familjeve shqiptare, duke theksuar se rënia e fuqisë blerëse po godet më fort shtresat e mesme dhe ato me të ardhura të ulëta.

 

Enriko Ceko:

 

Efektet e inflacionit janë rritja e çmimeve në treg. Banka e Shqipërisë ka deklaruar një inflacion prej 3.2%, por çështja nuk është se sa është shifra zyrtare, por sa e ke targetuar dhe si ndihet realisht. Vërtet BSH thotë se inflacioni është 3.2%, por në supermarkete ai është 32%. Kemi një studim të para dy ditëve ku thuhet se çmimet e ushqimeve në vendin tonë janë rritur me 4.4%, ndërsa në Europë me vetëm 0.8%. Është marrë një masë për të ulur TVSH-në e ushqimeve për 54 produkte. Unë që para 20 vjetësh kam kërkuar që TVSH-ja për ushqimet të jetë zero, por kam kërkuar gjithashtu që edhe TVSH-ja për lëndët e para në bujqësi dhe agrobiznes të jetë zero. Nuk mjafton ulja nga 20% në 6%, sepse rritja e TVSH-së për produktet e tjera nga 20% në 21% ka një ndikim shumë herë më të lartë sesa ajo ulje që bëhet. Nuk shikoj ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë të inflacionit me rënien e euros, sepse teorikisht kemi një rënie të euros në pikëpamje afatgjatë duke nisur që në vitin 2015. Tani duket sikur jemi në situatën e 'de-lekëzimit', ku me një forcim të lekut po dëmtohet rëndë pesha e eksporteve, duke na bërë të varur nga importet. Politika e euroizimit nisi kur qytetarët i kishin të ardhurat në lekë, kurse tani po ndodh e kundërta. Inflacioni është shkaktuar nga vetë Banka e Shqipërisë. Këtu kemi një rrezik të madh që lidhet me korrupsionin dhe paratë e drogës që futen me thasë. Ekonomia shqiptare ka shumë probleme, ndaj pse të mos fillojmë t'ia heqim një prej tyre, që është marrëdhënia euro-lek? Pse të mos e heqim lekun duke e rregulluar këtë? Shteti duhet ta kishte bërë me kohë.

 

Igli Tole:

Inflacioni është si puna e brejtësit për të ardhurat e qytetarëve, është armiku që i tkurr ato në mënyrë të përditshme. Nëse nisim nga një bazë nominale e njëjtë, ky 10 mijë lekësh nuk vlen njësoj, sepse duke iu shtuar niveli i inflacionit bëhet më i rëndë dhe fuqia blerëse bie. Në një ekonomi si e jona, ku kontribut të rëndësishëm luan konsumi privat, kjo e bën situatën të vështirë, sepse një nivel inflacioni që kalon jashtë këtij targeti të caktuar, prej 3.2%, ndikon drejtpërdrejt te kategoritë sociale. Zakonisht inflacioni është edhe më i ndjeshëm për ato familje që kanë të ardhura mesatare apo të ulëta, prandaj dhe mbahet i targetuar, sepse nuk është më thjesht një fenomen ekonomik, por një variabël që prek konsumin dhe nivelin e jetesës. Ajo që po tentohet të bëhet përmes paketës fiskale, nuk mendoj se do të ketë atë efekt të pritshëm. Problemi me inflacionin është se në Shqipëri ai është i importuar dhe është më i vështirë për t'u menaxhuar, pasi nuk vjen nga mallrat e prodhuara brenda vendit. Inflacioni për produktet bazë është më i ndjeshëm për familjet me të ardhura të ulëta dhe në rastin tonë mendoj se duhet ndërhyrë te menaxhimi i furnizimit. Moskontrolli sa i përket marzheve dhe vlerave të fituara nga institucionet e konkurrencës bën që ne të flasim për këtë situatë të inflacionit, ku përtej shifrave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, ajo që ndihet si barrë nga konsumatorët, kryesisht te familjet me të ardhura të ulëta, është shumë e lartë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy