Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet me mjete bashkëkohore dhe pajisje teknologjike në të gjitha akset e kryeqytetit me fokus të veçantë në rrugët hyrëse dhe dalëse për të parandaluar shkeljet që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës dhe shkaktojnë trafik të rënduar.
Sipas bilancit zyrtar të publikuar për javën e kaluar, efektivët e Rrugores kanë arrestuar dhe proceduar penalisht 40 persona, kanë vendosur 5,134 masa administrative (gjoba) dhe kanë bllokuar 49 automjete, të cilat janë zhvendosur me karrotrec.
Nga monitorimi i akseve rrugore të kryeqytetit, gjobat e vendosura ndahen sipas shkeljeve të mëposhtme:
4,418 drejtues mjetesh për ndalim, pushim ose parkim të gabuar;
268 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
149 shoferë për përdorim të telefonit celular gjatë drejtimit të mjetit;
130 shtetas për mosvendosje të rripit të sigurimit;
123 drejtues për pozicionim të gabuar të automjetit në korsi;
36 shoferë për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit.
Në përfundim të njoftimit, Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën, të shmangin alkoolin dhe përdorimin e celularit në timon, si dhe të vendosin rripin e sigurimit e kaskën mbrojtëse, për të parandaluar aksidentet rrugore me pasoja për jetën.
