Cërriku ka një histori të hershme të bashkëjetesës me familjet hebreje, të cilat, sipas kujtimeve të banorëve, kanë jetuar dhe punuar dikur në këtë qytet. Sot, vëmendja rikthehet te bashkëpunimi me Izraelin, pas inaugurimit të një ferme eksperimentale pranë shkollës profesionale “Mihal Shahini”, një projekt i realizuar me mbështetjen e MASHAV-it, Agjencisë Izraelite për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim.
Në inaugurimin e fermës morën pjesë kryeministri Edi Rama, ambasadorja e Izraelit, ministri i Bujqësisë Andis Salla dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Projekti synon të shërbejë si qendër trajnimi dhe demonstrimi për nxënësit dhe fermerët e rajonit të Elbasanit, duke prezantuar teknologji dhe metoda të reja të kultivimit.
Por çfarë dinë banorët për praninë izraelite në Cërrik dhe çfarë tregojnë institucionet për këtë bashkëpunim?
Gazetari Ersid Karaj dhe ekipi i Emisionit “Xhadat” dolën në terren për të mbledhur dëshmi nga banorët, punonjësit e shkollës dhe personat që punojnë pranë fermës. Disa qytetarë treguan kujtime të trashëguara nga familjarët për hebrenjtë që kanë jetuar në Cërrik, ndërsa të tjerë shprehën shqetësime për praninë e të huajve dhe të ardhmen e tokave në zonë. Këto janë perceptime të banorëve, të cilat kërkojnë verifikim përtej dëshmive të tyre.
Gjatë vizitës në fermë, “Xhadat” panë serat e investuara me mbështetjen e MASHAV-it, hapësirat e kultivimit, stallën dhe pajisjet bujqësore. Në ambientet e objektit ishte vendosur edhe një tabelë që shpjegon se ferma do të shërbejë si qendër demonstrimi dhe trajnimi për studentët dhe fermerët e rajonit të Elbasanit.
Mësues të shkollës profesionale u shprehën për gazetarin Ersid Karaj se specialistët izraelitë kishin ardhur në fazën fillestare të projektit, për instalimin e teknologjisë dhe trajnimin e stafit. Sipas tyre, specialistët nuk ishin rikthyer që prej majit 2026.
Një punonjëse e fermës, e angazhuar me kujdesin për lopët dhe mjeljen e qumështit, dha një dëshmi të ndryshme. Ajo tha se specialistët izraelitë vijonin të vinin dhe se vizita e fundit, sipas saj, ishte zhvilluar në fillim të shtatorit. Kjo mospërputhje mes dëshmive ngre nevojën për sqarim të mëtejshëm mbi vizitat dhe aktivitetin e specialistëve në fermë.
Nënkryetari i Bashkisë Cërrik e përshkroi projektin si bashkëpunim mes Ambasadës së Izraelit dhe shkollës, duke mohuar përfshirjen e kompanive apo investitorëve të tjerë në fermën eksperimentale apo në qytetin e Cërrikut.
Por investigimi i Emisionit “Xhadat”nuk u ndal vetëm te ferma. Gazetarët kërkuan informacion edhe për tokat shtetërore të dhëna me qira në zonën Cërrik-Fermë dhe nëse ato kishin lidhje me projektin izraelit.
Ministria e Bujqësisë konfirmoi se 40.65 hektarë tokë shtetërore në zonën Cërrik-Fermë i janë dhënë me qira shoqërisë “Bullari-08” sh.p.k. Sipas Ministrisë, në procedurën e konkurrimit është paraqitur vetëm një ofertë. Toka do të përdoret për zëvendësimin e rrënjëve të arrorëve të dëmtuar dhe ngritjen e infrastrukturës në funksion të agroturizmit.
Megjithatë, Ministria nuk vuri në dispozicion kontratën e qirasë dhe nuk dha vlerën konkrete të pagesës apo kohëzgjatjen e saj, duke iu referuar kufizimeve të ligjit për të drejtën e informimit. Në përgjigjen zyrtare, institucioni mohoi çdo lidhje mes kësaj sipërfaqeje dhe fermës eksperimentale.
Për vetë fermën, Ministria deklaroi se nuk është palë në marrëveshje dhe nuk administron dokumentacionin për financimin, pajisjet apo zbatimin e projektit. Sipas saj, marrëveshja është lidhur mes shkollës dhe Ambasadës së Izraelit në Tiranë, ndaj dokumentacioni duhet kërkuar pranë shkollës dhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, në varësi të së cilës ndodhet institucioni arsimor.
Edhe Bashkia Cërrik, në përgjigjen e saj me shkrim, deklaroi se nuk ka vënë në dispozicion tokë apo pasuri publike për realizimin e fermës dhe se nuk ka administruar marrëveshje apo dhënie me qira të pasurive publike në favor të subjekteve izraelite për çështjen në fjalë.
Bashkia identifikon fermën eksperimentale si një strukturë të ndërtuar në vitin 1969, me sipërfaqe 9.16 hektarë, e cila shërben për proceset mësimore, praktike dhe eksperimentale të nxënësve. Ajo konfirmon se bashkëpunimi me MASHAV-in ka përfshirë investime në infrastrukturë dhe teknologji, por thekson se nuk ka pasur rol financiar apo material në këtë projekt.
Pra, dokumentet zyrtare bëjnë dallimin mes fermës eksperimentale prej 9.16 hektarësh, pjesë e shkollës profesionale, dhe 40.65 hektarëve tokë shtetërore të dhënë me qira shoqërisë “Bullari-08”. Të dy institucionet mohojnë se këto sipërfaqe kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Megjithatë, kontrata e qirasë për 40.65 hektarët, vlera e saj dhe kohëzgjatja nuk u vunë në dispozicion të Emisionit “Xhadat”. Po ashtu, dëshmitë e ndryshme për vizitat e specialistëve izraelitë në fermë mbeten një çështje që kërkon sqarim.
Çfarë parashikon konkretisht kontrata e tokës shtetërore dhe çfarë dokumentacioni shoqëron bashkëpunimin për fermën eksperimentale?
Investigimin i plotë:



