Ish-prokurori dhe avokati i njohur, Besnik Muçi, ka komentuar nismën e mazhorancës për t'i dhënë imunitet Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko. Në një lidhje për MCN, Muçi e cilësoi këtë lëvizje si një shenjë paniku nga ana e qeverisë.
Sipas tij, përdorimi i kartonëve në Parlament për të ofruar imunitete të tilla përbën një abuzim të hapur me pushtetin politik për të diktuar nënshtrimin e institucioneve të pavarura.
Kjo tregon që mazhoranca është në panik. Pra, mazhoranca është në panik dhe është gati t'i ofrojë mbrojtje dhe imunitet kujtdo që do të kërkojë imunitet, me qëllim që të vihet në shërbim të politikës së vetë mazhorancës. Unë di që ka një hetim për Guvernatorin e Bankës. Prandaj unë e theksoj se ky veprim ligjor është një abuzim me pushtetin politik të mazhorancës.
Më tej, juristi shpjegoi se si ka lindur në zanafillë dhënia e imunitetit dhe se funksioni i tij sot në Shqipëri po përmbyset tërësisht nga ana e politikës.
Imuniteti si koncept klasik ka lindur që në mesjetë. Së pari ka lindur për gjyqtarët, për t'i mbrojtur ata nga pushteti i mbretit dhe për të garantuar mbrojtjen e vendimeve të tyre. Më vonë, në sistemet demokratike, lindi si mjet mbrojtjeje për anëtarët e parlamentit, për t'i mbrojtur nga ndjekja penale për shkak të funksionit, mendimeve apo votës që japin. Ky është koncepti i imunitetit.



