
Analisti Denis Dyrnjaja, në një intervistë për MCN, komentoi protestën e sotme të studentëve dhe situatën politike në vend, duke theksuar se pakënaqësia qytetare duhet të shërbejë si një sinjal reflektimi për kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij.
Sipas Dyrnjasë, Rama ndodhet përballë një sprove të rëndësishme politike.
“Mendoj se protesta po i përgjigjet një lloj vetëdijeje qytetare dhe popullore. Natyrisht, duke e vënë përballë një qeverisjeje mbi dymbëdhjetëvjeçare, pra jemi në mandatin e katërt të saj. Këto janë raste të jashtëzakonshme të sprovave politike për njerëz që futen në histori për keq ose për mirë. Në rastin konkret, kjo i takon Edi Ramës si personazh që ka marrë përsipër të shkruajë historinë e vet në një mënyrë ose në tjetër. E ka pasur në dorë shumë shpesh, madje edhe tani e ka shumë kritike situatën që ta kthejë rrotën. Edhe në momentin e fundit, për mirë, se kështu siç po shkojnë gjërat, sinjalet nuk janë të mira politikisht.
Duhet një reflektim për këto që po ndodhin. Jo vetëm sot, po në tërësi, që nga qershori, përtej faktit se cilët janë protestuesit, pra a janë ata protestues të një force politike? A janë ata protestues të opozitës? Ata janë shqiptarë. Janë qytetarë të këtij vendi. Dhe kanë gjithë të drejtën e Zotit të protestojnë, të kundërshtojnë, të jenë të pakënaqur. Por ata kanë arsyet e tyre që të mendojnë që po keqqeverisen ose nuk po qeverisen ashtu siç duhet. Edi Rama është kryeministër i Shqipërisë, apo thjesht i Partisë Socialiste? Kjo është pikëpyetja e madhe ku ndodhet sot ky njeri.”
Më tej, Dyrnjaja tha se ndonëse integrimi europian është një objektiv i rëndësishëm politik për Ramën, anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk zgjidh vështirësitë ekonomike të shqiptarëve.
“Rama e ka ngritur stekën e bastit të tij politik me anëtarësimin e Shqipërisë, por anëtarësimi i Shqipërisë nuk është vakti që hanë shqiptarët në darkë. Nuk është që njerëzit blejnë orizin, vajin, vezën, etj., etj. Pra, kemi dy linja të ndryshme. Si zakonisht, pushtetet, jo vetëm ky i Ramës, po pushtetet në tërësi, shesin një kartolinë tjetër nga ajo që është realiteti. Ka më shumë të vërteta sesa një kartolinë e qeverisë, e cila tenton gjithmonë të shkojë nga propaganda. Dhe nga një propagandë maoiste, do të thoja unë, pra ajo e Kinës komuniste të para pesëdhjetë viteve”
Duke u ndalur te njerëzit që rrethojnë kryeministrin, Dyrnjaja u shpreh se Rama është i rrethuar nga individë që nuk shprehin qëndrime publike dhe nuk i ofrojnë kritika.
“Po ta vësh re, Rama sot është i rrethuar nga njerëz të cilët nuk flasin, nuk flasin në publik, sepse s’kanë ç’thonë. Pra, e ka rrethuar veten me njerëz që janë thjesht kartona, që votojnë edhe kur flasin, janë kartona. Ata që e mbrojnë Ramën politikisht dhe publikisht janë akoma më rëndë se nuk e kuptojnë se sa injorantë janë në mbrojtjen e tyre, pra kryeministri duhet të kthjellohet që po thellon një gropë të cilën nuk e di e hapi me dashjen e vet apo ia hapën, por kjo s’ka asnjë rëndësi, gropa është e hapur”
Në vijim, Dyrnjaja tha se qeveria duhet të bëjë veprime konkrete me qëllim shmangien e përplasjeve sociale që vendi të mos shkojë në një 97-të të dytë.
“Tani duhen ca veprime konkrete. Të paktën që kjo situatë mos degradojë në përplasje sociale, sepse policët që janë atje janë komshinj të protestuesve. E them në një mënyrë simbolike, në mbrëmje dhe polici dhe protestuesi do të shkojnë te i njëjti pallat, te e njëjta lagje. Pra, pse do t’i fusim shqiptarët ne në këtë përplasje? Përveçse mund të bësh vetë gabim, atëherë ke pak kohë, pak kohë për të korrigjuar, ke dhe pak mundësi për ta ndryshuar.
Shqipëria kërkon revolucion. Thuhet në thirrjet, revolucioni nuk vjen me fjalë. Nëse ai ndodh, vjen me gjak. Dhe nuk besoj se ka interes dikush sot nga ne të gjithë, s’ka rëndësi nivelet sociale që jemi, ose shoqërore, që të vriten njerëz për ndryshime pushteti. Ne kemi nevojë që pushteti, nëse ndërrohet, të ndërrohet me votë në mënyrë të paqshme. Sepse nuk mund të kthehemi në një ’97-e të dytë. Edi Rama, nëse do të hyjë në histori të paktën për mirë, të tregojë vetëdije politike për rrethanat që janë”



