Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin mbrëmjen e së martës, ku ka mbetur i vrarë me armë zjarri shtetasi Ismet Habili.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:20 në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji” pranë zonës së njohur si "Komuna e Parisit", ku sipas policisë autorë ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti në lëvizje.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje pas një njoftimi fillestar për një mjet të aksidentuar. Gjatë këqyrjes, efektivët konstatuan trupin e pajetë të viktimës brenda automjetit të tij të tipit “Volvo”.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka rrethuar zonën dhe po kryen veprimet e nevojshme procedurale për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të identifikuar autorët e këtij atentati.



