Flamingoja e madhe (Phoenicopterus roseus), një nga shpendët më karakteristikë të Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, vijon të dhurojë pamje spektakolare dhe të tërheqë vëmendjen e vizitorëve me siluetën e saj elegante dhe ngjyrat e veçanta.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka ndarë së fundmi imazhe mbresëlënëse të tufave të flamingove me këmbët e gjata dhe pendët në nuanca rozë e të kuqërremta, duke e vlerësuar këtë shpend si një prej simboleve kryesore të biodiversitetit të kësaj zone të mbrojtur.
Laguna e Karavastasë u ofron flamingove kushte ideale për t'u ushqyer dhe për të qëndruar përgjatë gjithë vitit.
Dieta e tyre përbëhet kryesisht nga alga, krustace të vegjël dhe organizma të tjerë ujorë, të cilët janë edhe burimi kryesor që u jep pendëve ngjyrën rozë karakteristike.
Prania e përhershme e këtyre shpendëve mbetet një dëshmi e gjallë e pasurisë natyrore dhe rëndësisë ekologjike të Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, një prej ekosistemeve ligatinore më të rëndësishme në Shqipëri dhe në rajon.
