
Protesta e studentëve dhe pedagogëve në Tiranë ka hyrë sot në ditën e saj të 11-të, ku kërkesës për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama po u shtohen çdo ditë e më shumë kauza të reja.
Në një raportim të drejtpërdrejtë për "MCN Live", gazetarja Marina Sulollari bëri me dije se këtë të premte, tubimit masiv pritet t’i bashkohen zyrtarisht edhe mjekët specializantë, infermierët dhe farmacistët.
Sipas informacioneve nga terreni, protestuesit janë organizuar në dy pika kryesore të kryeqytetit për të nisur marshimin drejt Bulevardit "Dëshmorët e Kombit".
Pedagogët dhe një pjesë e konsiderueshme e studentëve janë mbledhur në sheshin "Nënë Tereza" pranë Korpusit Qendror, nga ku do të nisin marshimin drejt Kryeministrisë.
Mjekët, infermierët dhe mjekët specializantë kanë vendosur të grumbullohen fillimisht pranë institucionit të tyre për të marshuar më pas si një bllok i vetëm drejt institucionit të qeverisë.
Deri në këto momente, pranë godinës së Kryeministrisë nuk raportohet për forca të shtuara të efektivëve të Policisë së Shtetit apo mjete të rënda të kontrollit të turmave si autobotë.
Organizatorët nuk kanë bërë publik një skenar të detajuar se si do të procedohet gjatë ditës së sotme. Ndryshe nga fillimi i javës që u shoqërua me tensione, dy ditët e fundit kanë qenë kryesisht paqësore, me përjashtim të disa përplasjeve të izoluara gjatë orëve të vona të mbrëmjes ku policia përdori autobotët e ujit për të shpërndarë grupet e të rinjve.



