
Denis Meçe është arrestuar nga Policia e Pogradecit, pasi u kap në flagrancë duke shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” të caktuar ndaj tij nga Gjykata.
Së bashku me të, uniformat blu kanë vënë në pranga edhe një kushëri të tij, i cili po procedohet në gjendje arresti për veprën penale të moskallëzimit të krimit.
Sipas burimeve, Meçe u konstatua nga shërbimet e rendit rreth 300 metra larg banesës së tij.
Kjo lëvizje vjen në kundërshtim të plotë me kufizimet dhe rregullat e përcaktuara në vendimin e masës së sigurisë.
Denis Meçe është i pandehuri kryesor në procesin gjyqësor për vrasjen e Egli Progës, ngjarje e rëndë kjo që tronditi opinionin publik në Pogradec.
Prokuroria ka ngritur ndaj tij dhe të pandehurit tjetër, Leonidha Guçe, akuzën e "Vrasjes me dashje" të kryer në bashkëpunim.
Pak ditë më parë, Gjykata e Korçës rrëzoi kërkesën e të pandehurve për gjykim të shkurtuar, duke vendosur vijimin e procesit gjyqësor sipas procedurës së zakonshme për çështjen e vrasjes së Egli Progës.



