Janë zbardhur detaje të reja lidhur me identitetin e të riut që mbeti i plagosur rëndë mbrëmjen e sotme, pasi u qëllua me plumb gome në sy gjatë përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe policisë në qendër të Tiranës.
I plagosuri është Erjon Vishkulli, me origjinë nga qyteti i Elbasanit.
Burime bëjnë me dije se i riu nuk ka asnjë lidhje apo angazhim me partitë politike dhe pjesëmarrja e tij në tubim ka qenë tërësisht qytetare.
Vishkulli ka përfunduar studimet e larta për Gazetari dhe njihet gjerësisht si një person aktiv në jetën sociale, duke qenë gjithashtu pjesë e strukturave të "Tifozëve Kuq e Zi" (Ultrasve Kuq e Zi), grupimit zyrtar të mbështetësve të Kombëtares Shqiptare të Futbollit.
Aktualisht, Erjon Vishkulli ndodhet në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë nën kujdesin e rreptë të mjekëve.
Sipas përditësimit të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, ai po i nënshtrohet ekzaminimeve të specializuara për shkak të dëmtimit të rëndë që ka pësuar në organin e shikimit, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.



