Ish-deputeti Nard Ndoka, thotë se takimi në burg mes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu me kryebashkiakun Erion Veliaj, tregon se qeveria vepron si bandë dhe përdor si mjet shantazhin dhe kërcënimin.
Nga studio e “MCN Live”, analisti Indrit Vokshi deklaroi se Erion Veliaj ndezi fijen e shkrepëses në Partinë Socialiste.
Ndërsa Ben Andoni ngre shqetësimin për mungesën e së djathtës në vend.
Ndoka
Unë e gjykoj aktin më të rëndë që ka ndodhur ku një qeveri operon si një bandë. Është e papranueshme që Ministri i Drejtësisë shkon në institucionet në varësinë e tij pa transparencë. Nëse shkon për mbarëvajtjen e punës në burgje, duhet transparencë. Nuk është se shkon takon shokun. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve emërohet me propozimin e tij.
Edhe nëse kemi hije dyshimi për marrëdhëniet e tyre, nuk ka asnjë dyshim se kjo skemë është përdorur si presion i hapur, edhe transferimi i tij për një status në Facebook. Kjo është trillim për ndikimin në protestë. Ky është një alarm i madh për institucionet tona të sigurisë, por edhe për vetë opozitën që hesht. Është ngjarja më tragjike kjo.
Imagjino se çfarë i bëhet një qytetari, një protestuesi, një hallexhiu. Janë prova alarmante, ulëritëse për funksionimin e shtetit. Kemi një Kryeministër që po sillet me një arrogancë të tejskajshme. Kjo është një arsye për dorëheqje dhe për fillimin e procedimit penal ndaj tij.
Vokshi
Ka një luftë të egër brenda Partisë Socialiste, një luftë e ftohtë dhe heshtur. Mes njerëzve të Ramës dhe njerëzve të krahut të Veliajt, që ndihen të persekutuar. Që Ministri i Drejtësisë përdoret si lajmëtar, tregon se nuk kemi një qeveri publike, por një etnitet të Edi Ramës. Mjafton të shohësh si ndan postet, për të kuptuar që i bën veprimet e shantazhit dhe kërcënimet.
Duke qenë se mendon se nuk ka kush e ndalon shpërfaq anën më të keqe dhe fytyrën e vërtetë. Edi Rama duke u ndjerë i fuqishëm, i pasur, absolut, ka nxjerrë atë njeriun e vogël brenda tij. Veliaj ka ndezur fijen e shkrepëses brenda Partisë Socialiste, dhe është diçka pozitive. Nuk mund të qëndrojë në këmbë një strukturë monstruze. Përkrahësit e Veliajt do e sabotojnë në fushatë.
Andoni
Ne asnjëherë nuk do e marrim të vërtetën e këtij takimi, ndryshe thotë zoti Gogu, ndryshe shkruan zoti Veliaj. Zoti Rama e ka ndërtuar në mënyrë të tillë sistemin që edhe për gjërat që duhet të jesh transparente, ti ngre një mjegullnajë.
Ka ardhur momenti që Shqipëria duhet të kishte një të djathtë. Edhe protesta që po bëhet është revolucion i majtë, ndërkohë që Shqipëria ka nevojë për një të djathtë.



