
Një zjarr ka përfshirë katin e parë të një pallati 4-katësh në lagjen “Skënderbeg” në qytetin e Lezhës, duke shkaktuar panik të madh te banorët.
Paraprakisht, dyshohet se shkak i shpërthimit të flakëve ka qenë një rrjedhje gazi.
Për shkak të rrezikut të lartë dhe përhapjes së shpejtë të tymit, shërbimet e emergjencës kanë bërë evakuimin e menjëhershëm të të gjithë banorëve nga ndërtesa.
Tetë prej personave të evakuuar kanë shfaqur shenja të rënda asfiksie dhe lëndime fizike, duke u transportuar me urgjencë me ambulanca drejt spitalit rajonal të Lezhës për të marrë ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse të cilat po punojnë për izolimin e plotë të flakëve, si dhe grupi hetimor për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.



