Një grup protestuesish të mbledhur përpara Kryeministrisë kanë tentuar të bllokojnë qarkullimin e automjeteve në bulevardin kryesor, duke shkaktuar përplasje me forcat e rendit.
Policia ka ndërhyrë menjëherë për të zhvendosur pjesëmarrësit drejt trotuarit, veprim i cili ka hasur në rezistencë dhe ka tensionuar situatën.
Efektivët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos ndërpresin qarkullimin rrugor dhe kanë nisur largimin e tyre me forcë.
Disa protestues, mes të cilëve edhe gra që kundërshtuan urdhrat e policisë, janë shoqëruar nga uniformat blu.
Shoqërimi i grave ka provokuar reagimin e ashpër të pjesës tjetër të tubuesve, të cilët kanë ndërhyrë në mbrojtje të tyre duke krijuar momente tensioni dhe përleshjeje me policinë.
Gjatë tensioneve, protestuesit e mbetur kanë vijuar qëndrimin e tyre duke brohoritur në kor thirrje të tilla si “Poshtë diktatura”.
