Situata në territorin e Qarkut të Lezhës paraqitet e qetë mëngjesin e kësaj të hëne, pavarësisht motit të vrenjtur dhe reshjeve të shiut që kanë përfshirë zonën. Sipas të dhënave nga Stacioni Meteorologjik Ushtarak i Gjadrit, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar reshje me intensitet të ulët, në nivelin 6 mm shi.
Megjithatë, moti me reshje ka shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike, kryesisht në zonat rurale ku rrjeti është i amortizuar, por edhe në disa lagje të qytetit të Lezhës:
Bashkia Lezhë: Aktualisht pa energji elektrike janë fshatrat e Fiderit të Kallmetit (Kallmet, Troshan, Blinisht, Piraj, Fishtë dhe Krajen). Po ashtu, defekte ka edhe në qytet dhe zonat përreth, konkretisht në Fiderin nr. 7 (një pjesë e lagjes "Nënë Tereza") dhe në Fiderin nr. 9, i cili furnizon Ishull Lezhën, zonën e Vainit dhe lagjen "Shehër".
Bashkia Mirditë: Pa furnizim me energji elektrike raportohen fshatrat Prosek, Perlat, Malaj, Fang, Katund i Vjetër dhe Rrasfik. Bashkia Kurbin: Situata paraqitet pa probleme. Një ndërprerje e shkurtër e energjisë në zonën e Milotit është riparuar menjëherë nga grupet e punës.
Sipas raportimeve zyrtare, grupet e punës së OSHEE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në zonat e prekura.
Sa i përket infrastrukturës dhe parametrave të tjerë, furnizimi me ujë të pijshëm vijon normalisht në të gjithë qarkun. Akset rrugore kombëtare dhe rurale janë plotësisht të kalueshme, hidrovorët janë në gatishmëri të plotë, ndërsa nivelet e lumenjve Drin dhe Mat mbeten në kuota minimale.
