Gazetari Xhevahir Zhabina, në "MCN Live", ka analizuar deklaratat e fundit të kreut të qeverisë lidhur me masat shtrënguese ndaj pjesëmarrësve në protestat e dhunshme, duke vënë në dyshim përputhshmërinë ligjore të këtyre nismave me Kushtetutën e Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare ku vendi ynë aderon.
Sipas tij, paralajmërimi i kryeministrit Rama për krijimin e një "liste të zezë" që do të pengonte lëvizjen e qytetarëve jashtë kufijve është një masë thuajse e pamundur për t'u zbatuar në praktikë, pasi lëvizja e lirë përbën një të drejtë themelore kushtetuese e cila mund të kufizohet ekskluzivisht përmes një vendimi të formës prerë nga organet e drejtësisë.
Kryeministri e paralajmëroi këtë gjë për gjobat në protestë dhe do të kishte një vendimmarrje të shpejtë për mënyrën se si u zhvillua protesta ditët e para të dhunshme, por duhet parë se sa përputhet me ligjet shqiptare dhe konventat ku aderon Shqipëria. Në thelb, nëse po i qëndrojmë deklaratës së parë të Ramës që do të pengohen njerëzit të dalin jashtë vendit, kjo është e pamundur sepse që të mos dalësh jashtë të duhet një vendim ligjor, duhet një vendim gjykate dhe është e vështirë, sepse lëvizja në fund të ditës është e drejtë kushtetuese dhe këtë e bën vetëm gjyqësori, ndaj duhet vendim gjyqësor për të mos dalë jashtë vendit. Nëse identifikon një person të arrestuar me pranga dhe 10 policë që vazhdojnë ta dhunojnë, çfarë i thuhet kësaj? Pra në thelb nuk është kjo paketa, ajo që u tha dje ishte që vendi pritës do të njoftohet që ky person është i dhunshëm dhe bëni kujdes, gjë që mua më duket e paligjshme sepse këtu ka dhe një gjë tjetër, pasi pothuajse të gjitha arrestimet janë shpallur të paligjshme nga gjykata.



