Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Destinacioni”, duke vënë në pranga një 31-vjeçar që transportonte drogëra të forta.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, ndaloi të dyshuarin në flagrancë ndërsa ai po udhëtonte me një automjet taksi nga Tirana drejt qytetit të Mamurrasit me qëllim shitjen e lëndës narkotike.
Pas marrjes së informacioneve në rrugë operative, shërbimet e policisë organizuan pritën në aksin e vjetër rrugor Mamurras–Thumanë.
Ndalimi i mjetit u bë ekzaktësisht në vendin e quajtur kryqëzimi i Fushë-Mamurrasit.
Në pranga ka rënë shtetasi S. S., 31 vjeç, i lindur në Sarandë dhe banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të hollësishëm të ushtruar brenda në automjetin taksi, efektivët gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 126 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Lënda narkotike e ndarë në doza gati për shitje peshonte në total rreth 109 gramë.
Materialet procedurale tashmë i kanë kaluar zyrtarisht Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.
Ndaj 31-vjeçarit është regjistruar procedimi penal për veprën "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".



