Një vrasje makabre ka tronditur Kosovën mbrëmjen e së dielës, ku 49-vjeçarja Arlinda Sylaj Zekaj u gjet e masakruar me sëpatë në dhomën e saj të gjumit në Vitomiricë të Pejës.
Autor i dyshuar i këtij krimi të rëndë është kunati i saj, Albert Sylaj, i cili është akoma në arrati.
Ndërkohë, pas marrjes në pyetje, Prokuroria ka urdhëruar ndalimin për 48 orë edhe të bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë fshihet një histori e gjatë dhune në familje, zvarritjeje institucionale dhe një betejë e dëshpëruar e nënës 49-vjeçare për të marrë në kujdestari djalin e saj.
Viktima dhe bashkëshorti i saj, me prejardhje nga Deçani, kishin jetuar për rreth 10 vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpara se të vendoseshin në Vitomiricë.
Marrëdhëniet mes çiftit ishin përkeqësuar ndjeshëm pas kthimit në Kosovë.
Sipas dëshmive dhe pretendimeve të bëra publike, Arlinda përballej me dhunë sistematike; bashkëshorti e kishte dëbuar nga shtëpia, ia kishte djegur rrobat dhe ishte ndarë prej saj, duke mos e lejuar as të takonte fëmijën e mitur që ishte lënë nën kujdesin e një personi të tretë.
Vetëm tri ditë përpara se të ekzekutohej, më 22 tetor, Arlinda Sylaj Zekaj i kishte drejtuar një letër zyrtare kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë.
Në dokumentin ku denonconte vonesat prej 24 ditësh të institucioneve dhe Qendrës për Punë Sociale, ajo parashikoi në mënyrë rrëqethëse fatin e saj:
“Institucionet mund të detyrohen të japin llogari vetëm pasi mua të më merret jeta. Kjo është shtesa ime e fundit, “Uroj të mos jepni llogari pasi të jetë marrë jeta ime”, shkruante 49-vjeçarja në letrën ku lutej për zbatimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor të mbrojtjes, pasi ndihej e kërcënuar për jetën.
Kronologjia e natës së krimit, 25 tetor, dëshmon një dështim të rëndë të skemës së mbrojtjes. Arlinda ishte marrë në pyetje nga policia e Pejës për një rast të ri dhune në familje.
Rreth orës 20:58, ajo u kthye në banesë e shoqëruar nga një patrullë policore.
Sipas të dhënave hetimore, vetëm dhjetë minuta pasi efektivët e policisë ishin larguar nga perimetri i shtëpisë, 49-vjeçarja u sulmua për vdekje me sëpatë në dhomën e gjumit.
Rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësia e zyrtarëve që neglizhuan thirrjet e saj për ndihmë mbeten nën hetim të plotë nga organet kompetente.



