
Mazhoranca në Kuvend ka kërkuar dje përjashtimin për 10 ditë të kreut të PS-së, Sali Berisha, si dhe masën drastike të përjashtimit me 60 ditë për gjashtë deputetë të tjerë të opozitës, pasi hodhën tymuese dhe flakadanë.
Në një intervistë për “MCN Live”, deputeti Klevis Balliu, deklaroi se kjo lëvizje tregon qartë synimin e qeverisë për të asgjësuar zërin kritik dhe për të instaluar një sistem njëpartiak.
Balliu u shpreh se përjashtimi i përfaqësuesve të opozitës thjesht po zhvesh fasadën e institucionit ligjvënës, duke e kthyer atë në një parlament monist ku pushteti është përqendruar në një dorë të vetme.
Mua më duket shumë e përshtatshme që këta po i përjashtojnë të gjithë deputetët e opozitës.
Në këtë mënyrë, ai parlament po qëndron ashtu siç është në realitet: një parlament monist me një njeri të vetëm që vendos çdo gjë, ndërsa pjesa tjetër aty është praktikisht kot dhe pa asnjë vlerë.
Dëgjoj shpesh të thuhet se mazhoranca ka 83 mandate, por si 83 si një, çfarë rëndësie ka?
Aty është vetëm një individ që vendos sepse ligji, shteti dhe Kushtetuta kanë rënë.
Ka mbetur vetëm Edi Rama; ka rënë Shqipëria që të jetojë ai.
Sipas tij, kriza aktuale buron nga kapja e sistemit të drejtësisë, gjë që po lejon kalimin e ligjeve që dëmtojnë shtresën e mesme dhe sipërmarrjen pa asnjë konsultim.
Të gjitha këto problematika e kanë burimin te sistemi i drejtësisë që është tërësisht i kapur.
Ne nuk mund të rrimë dhe të bëjmë sikur çdo gjë është në rregull, në një kohë kur këta po kalojnë ligje që kërkojnë të vrasin praktikisht shtresën e mesme dhe biznesin e vogël.
Nuk mund të sillemi sikur jemi në normalitet.
Ky është i njëjti parlament që mbron Belinda Ballukun, për të cilën nuk vjen as shkresa për heqjen e imunitetit, pavarësisht se janë shtuar pesë akuza të reja ndaj saj.
Balliu theksoi se përplasjet e djeshme dhe kalimi i shpejtë i ligjeve mes flakadanëve janë një këmbanë alarmi për shoqërinë.
Është e qartë se dëshirojnë të fshijnë opozitën që të qëndrojnë vetëm.
Tani na mbetet ne si shoqëri dhe si vend të vendosim nëse do të pranojmë një parlament dhe shtet monist, apo do të bëjmë diçka ndryshe për ta ndryshuar këtë realitet.



