U shtir sikur vuante nga leucemia dhe përfitoi afro 190 mijë € bamirësi, arrestohet i riu në Kosovë

U shtir sikur vuante nga leucemia dhe përfitoi afro 190 mijë € bamirësi, arrestohet i riu në Kosovë

Gjykata Themelore në Gjilan të Kosovës, i ka caktuar masën e sigurisë prej një muaji paraburgim shtetasit Endrit Azemi, i dyshuar për mashtrim, pasi pretendohet se u shtir si i sëmurë me leuçemi akute dhe përmes një fushate për mbledhjen e fondeve përfitoi afro 190 mijë euro.

 

Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës, Azemi dyshohet se në periudhën nga data 9 deri më 21 nëntor 2026 ka pretenduar se vuante nga leuçemia akute, duke prezantuar edhe dokumentacion mjekësor të falsifikuar të spitalit “Acibadem Altunizade” në Stamboll të Turqisë.

 

Me arsyetimin se kishte nevojë urgjente për trajtim jashtë vendit, ai hapi një fushatë në platformën online “GoFund”, ndërsa paralelisht familjarë dhe persona të tjerë organizuan aktivitete bamirësie për mbledhjen e parave në qytetin e Gjilanit.

 

Sipas të dhënave të Gjykatës, shuma totale e grumbulluar arrin në 189,206.80 euro, të ndara 162,522 euro të mbledhura përmes platformës online dhe 26,684.80 euro të grumbulluara nga aktivitetet e organizuara në Gjilan.

 

Prokuroria dyshon se këtë shumë të konsiderueshme parash Azemi e ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme përmes mashtrimit të qytetarëve.

I dyshuari ishte në kërkim policor, ndërsa është arrestuar më 21 nëntor, rreth orës 22:00.

 

Gjykata Themelore vlerësoi se ekzistojnë bazat ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke arsyetuar se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale. 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy