Kalaja e Krujës e dëmtuar që nga tërmeti i vitit 2019, ndërhyrjet ende mungojnë (VIDEO)

Kalaja e Krujës e dëmtuar që nga tërmeti i vitit 2019, ndërhyrjet ende mungojnë (VIDEO)

Emisioni “Xhadat” dhe ekipi i MCN TV ka shkuar në kalanë e Krujës për të parë nga afër gjendjen e kullës së dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019. Edhe pse në atë kohë u morën disa masa emergjente për të parandaluar shembjen e saj, shtatë vite më pas, struktura vijon të paraqesë shenja dëmtimi, ndërsa ndërhyrjet për konservimin dhe restaurimin e saj mbeten një çështje e pazgjidhur.

 

Gjatë vëzhgimit në terren, emisioni konstatoi gurë të rënë nga kulla, si dhe dërrasat e vendosura për të mbajtur strukturën, të cilat tashmë janë shtrembëruar dhe kalbur. Pamjet dëshmojnë gjendjen në të cilën ndodhet një prej objekteve me rëndësi historike dhe kulturore të vendit.

 

Përveç problematikës së kullës, qytetarët shprehen se ruajtja e trashëgimisë kulturore është përgjegjësi e shtetit. Megjithatë, ata ngrenë shqetësime edhe për gjendjen e rrugës, të cilën e përshkruajnë si të dëmtuar dhe në nevojë për ndërhyrje.

 

Për të marrë një përgjigje mbi arsyet e mungesës së ndërhyrjeve, “Xhadat” iu drejtua fillimisht Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. 

 

Sipas komunikimit me drejtorin e këtij institucioni, kulla nuk është shpallur me një status të posaçëm që ta klasifikojë si objekt në rrezik. 

 

Gjithashtu, u bë e ditur se drejtoria nuk ka kompetencë të japë sqarime të mëtejshme për këtë çështje, për sa kohë objekti nuk është klasifikuar në këtë kategori për ndërhyrje.

 

Në vijim, “Xhadat” shkuan edhe pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore për të kërkuar informacion mbi situatën. Gazetarëve iu kërkua të ulnin kamerën dhe të mos filmonin. 

 

Për të marrë një përgjigje zyrtare, redaksia dorëzoi një kërkesë për informacion, duke marrë numrin e protokollit të shënuar në një fletë të vogël.

 

Në mungesë të një përgjigjeje të plotë nga institucionet e trashëgimisë kulturore, emisioni iu drejtua edhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, duke dorëzuar personalisht kërkesën për informacion. 

 

Sipas komunikimit të zhvilluar në recepsion, punonjësja njoftoi një prej përgjegjësve të saj për praninë e ekipit të emisionit dhe kërkesën për një përgjigje mbi çështjen. 

 

Gazetarët shprehën gatishmërinë për të zhvilluar edhe një komunikim zyrtar. Megjithatë, edhe në këtë institucion, ekipi mori vetëm numrin e protokollit të kërkesës, pa një përgjigje konkrete mbi ndërhyrjet e mundshme në kullën e Kalasë së Krujës.

 

Shtatë vite pas tërmetit, gjendja e kullës dhe mungesa e një përgjigjeje të qartë nga institucionet përgjegjëse ngrenë pikëpyetje mbi masat që janë marrë për mbrojtjen e saj dhe mbi afatet e mundshme për ndërhyrjen.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy