
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eric Wendt, ka mbërritur sot në Tiranë për të marrë zyrtarisht drejtimin e përfaqësisë diplomatike amerikane.
Ditën e nesërme (e shtunë), në orën 11:00, do të zhvillohet ceremonia zyrtare e dorëzimit të letrave kredenciale në Pallatin e Brigadave, e cila do të pasohet nga një takim kokë më kokë me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj.
Eric Wendt u konfirmua në krye të kësaj detyre nga Senati i SHBA-së me 51 vota pro dhe 47 kundër, pasi më herët kishte marrë një mbështetje të gjerë (19-3) nga Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë.
Ditën e premte, më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë do të organizojë në një hotel në qendër të kryeqytetit ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri.
Wendt ka një karrierë të gjatë mbi tri dekada në ushtri dhe në struktura ndërkombëtare të sigurisë.
Ai është oficer i pensionuar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara me mbi 34 vjet shërbim.
Ai ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe ka mbajtur poste kyç në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.
Wendt është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Shkollën Pasuniversitare.



